Spanja nuk do ta ndjekë objektivin e ri të NATO-s për shpenzimet ushtarake

23:27 | 22 Qershor 2025
E.H

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, deklaroi të dielën se vendi i tij ka rënë dakord me aleancën ushtarake të NATO-s për të mos ndjekur objektivin e ri të propozuar prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shpenzimet në mbrojtje.

“Shpenzimet prej 5% do të ishin të tepruara dhe të panevojshme”, tha Sánchez në një fjalim televiziv për publikun. Ai shtoi se Spanja respekton plotësisht vendimin e vendeve të tjera për të rritur investimet në mbrojtje, por se nuk do të ndjekë të njëjtin drejtim.

Sipas tij, vendi mund t’i përmbushë të gjitha angazhimet ndaj NATO-s, përfshirë pjesëmarrjen me personel dhe pajisje, me një nivel shpenzimesh prej vetëm 2.1% të PBB-së.

Diplomatët kishin njoftuar më herët gjatë ditës se të 32 vendet anëtare të NATO-s kishin rënë dakord për një deklaratë të përbashkët në kuadër të samitit të ardhshëm, e cila vendos një objektiv prej 5% të PBB-së për shpenzimet vjetore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035,pavarësisht kundërshtimit të Spanjës.

Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ditën e enjte, Sánchez kishte shprehur qartë se Spanja dëshironte të përjashtohej nga ky objektiv i ri. Kjo letër shkaktoi shqetësime se qëndrimi spanjoll mund të rrezikonte mbarëvajtjen e samitit.

Sipas të dhënave të NATO-s, në vitin e kaluar Spanja ka qenë vendi me nivelin më të ulët të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shpenzuar vetëm 1.28% të PBB-së. Megjithatë, Sánchez ishte zotuar në prill që këtë vit të përshpejtojë përpjekjet për të arritur objektivin aktual të NATO-s prej 2%./tvklan.al

LEXO EDHE:

NATO bie dakord të rrisë shpenzimet ushtarake në pesë për qind të GDP-së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme