Kanë kaluar katër muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në vendin tonë dhe institucionet ende nuk janë formuar.
Hapi i vetëm deri tani që është bërë, është betimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, ani pse kryeministri dhe ministrat e qeverisë së kaluar janë betuar si deputetë të legjislaturës së re, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe disa nga ministrat e tij, që tashmë janë betuar si deputetë po vazhdojnë ta luajnë rolin e ekzekutivit dhe legjislativit në të njëjtën kohë, raporton Arbresh.info.
Janë mbajtur disa mbledhje të qeverisë, përfshirë edhe atë të ditës së sotme (05.06.2025.), gjatë së cilët Kurti dhe ministrat e tij, kanë marrë disa vendime, ani pse nuk kanë mandat, përfshirë rritjen e pagës për sektorin publik nga muaji korrik për 55 euro, si dhe shtesat për lehona, të cilat nga 170 do të rriten në 325 euro.
Njohës të çështjeve legjislative dhe politike në vend, vlerësojnë se të gjitha këto vendime janë të jashtëligjshme dhe se do anulohen kurdo që do atakohen
Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), shpjegon se sipas Kushtetutës së Kosovës, deputetët nuk kanë të drejtë të ushtrojnë njëkohësisht funksione ekzekutive.
Ai në një prononcim për Arbresh.info i konsideron këto veprime të zyrtarëve si arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin themelor të vendit, duke theksuar nevojën që ato të ndalen dhe të kundërshtohen me forcë.
“Në momentin kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, anëtarët e kabinetit qeveritar janë zgjedhur edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Këta assesi nuk guxojnë të ushtrojnë asnjë lloj vendimmarrje dhe asnjë lloj veprimi në ata kuptimin që të ushtrojnë dy funksione të njëpasnjëshme edhe atë të deputetit dhe atë të funksionit të anëtarit të qeverisë.
Sipas tij, në momentin kur parlamenti i ri është duke e pritur konstituimin, zgjedhjen e kryetari të kuvendit, personat të cilët sot kanë qëndruar në pozitat e ministrave, ku pasdite kanë qenë në pozitën e deputetit, janë të gjitha sjellje arbitrare dhe jo ligjore dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës.
“Besoj që një vendimmarrjen e tillë herëdo kurdo dikush duhet ta atakoj dhe ta parandalojë këtë sjellje të këtyre zyrtarëve për faktin se ka një dispozitë në Kushtetutën e Kosovës ku e ndalon ushtrimin e dyfishtë të funksionit, pra nuk mundesh njëkohësisht të jesh deputet edhe të mbash funksionin e pushtetit ekzekutiv këtë rast edhe të ministrit”, pohon ai.
Në anën tjetër, analisti politik Avni Arifi, thotë se Qeveria e Kosovës ndodhet ende në detyrë, por në fakt po vepron si një qeveri me mandat të plotë, duke marrë vendime sikur të ishte një qeveri e rregullt dhe e konfirmuar.
Ai shpreh shqetësimin se në këtë periudhë po shfrytëzohet mundësia për punësime masive të asaj që ai i quan “militantë të qeverisë”.
“Qeveria e Kosovës është në detyrë, por në fakt po vepron si Qeveri tërësisht me mandat të plotë, duke marrë vendime sikur të ishte qeveri normale. Fatkeqësisht këtë periudhe po e shfrytëzon për punësime masive te militanteve te saj duke e qite para aktit te kryer çdo Qeveri qe vjen pas kësaj. Përndryshe neni 31 i Ligjit për Qeverinë i ndalon shumicën e vendimeve që kjo Qeveri po i merre. Kosova po jeton në një kohë ku Qeveria e saj ligjet i përzgjedh cilat i zbaton cilat jo. Dikush në një vend veç pak ligjor është dashtë të përgjigjet për këto shkelje”, thotë ai.
Ndryshe, të enjten u mbajt seanca e 27-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e cila zgjati hiq më shumë se 5 minuat dhe pa asnjë ndryshim nga seancat tjera.
Edhe gjatë kësaj seance deputeti më i moshuar në kuvend, Avni Dehari udhëhoqi seancën, duke kërkuar nga partitë politike të paraqesin përfaqësuesit e partive të tyre politike për formimin e komisionit për votim të fshehtë.
VV ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.
Kandidatja e VV-së për kryepalamentare vazhdon të jetë Albulena Haxhiu.
Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces. /Arbresh.info/Edona Krasniqi/
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski