“Serbia nuk është më e mirë se ne, luftojmë për vendin e dytë” – Duka flet për ndeshjen e ardhshme të kombëtares

16:50 | 27 Maj 2025
D.H

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, në një intervistë për RTSH ndër të tjera ka folur edhe për kualifikimet e Kampionatit Botëror, ndeshjen me Serbinë si dhe çmimin e biletave për ndeshje me kombëtaren.

Duka është optimist për kualifikimin e Shqipërisë në botëror, shkruan Arbresh.info.

“Unë jam gjithmonë optimist. Kam qenë optimist edhe kur ënddra jonë utopike dukej demagogji, por ne shkuam në Europian. Nëse nuk e ke dëshirë, ëndërr, objektiv diçka nuk e arrin. Ne arritëm të shkojmë në Europian dhe tani kemi një dëshirë, ëndërr, objektiv kualifikim në Botëror. Një objektiv i vështirë, por jo i pamundur. Futbolli kështu është. Duhet të bashkohen shumë gjëra dhe në fund fare të kesh edhe pak fat. Nëse kualifikueset e fundit për Kampionatin Europian do të ishin për Kupën e Botës do të ishim kualifikuar sepse rregullat janë njësoj. Tani në këtë kompeticion shorti nuk na ka favorizuar (nuk menduam që do dilnim të parët me Poloninë dhe Çekinë). Me Anglinë është nivel i lartë vështirësie, për të mos thënë i pamundur. Kemi mundësitë reale në letër për të luftuar për vendin e dytë. Në fushë do ta shohim, kundërshtari kryesor për këtë vend të dytë është Serbia. Një ekip me përbërje shumë të mirë, me lojtarë me kualitet, por nuk mendoj se është skuadër më e mirë se ne”, tha fillimisht ai.

“I kemi shanset reale për të luftuar për këtë, kjo nuk do të thotë që një apo të dyja ndeshjet do ti fitojmë ne. Por do të luftojmë për t’i fituar dhe kjo është një mundësi për të shkuar në Play Off, që vazhdon të jetë një luftë e vështirë. Ne duhet të tentojmë, çunat duhet të kenë besim. Kemi një skuadër të mirë, me çuna të mirë dhe do të luftojmë. Do të luajmë në fushën tonë më 7 qershor, në një stadium të mbushur, që uroj që të kthehet në një energji pozitive për skuadrën, mos të jetë një presion që do ta vendosë në trysni ekipin tonë kombëtar. Kemi nevojë për energji pozitive dhe jo për trysni, që skuadra ta përjetojë atë ndeshje si një ndeshje futbolli, me objektivin për të shkuar në botëror”, shtoi tutje.

Më tej ai po foli për ndeshjen e radhës të Shqipërisë e cila është ndaj Serbisë.

“Parashikimi im miksohet me dëshirën time që ta fitojmë atë ndeshje. Dhe dua shumë që ta fitojmë atë ndeshje, kundër një kundërshtari direkt për vendin e dytë. Një sukses ne na le të hapur mundësinë për të vazhduar, për të luftuar për të zënë vendin e dytë. Edhe nëse fitojmë me Serbinë nuk do të thotë që u renditëm në vendin e dytë, por e lë të hapur mundësinë. Kundërshtarët e tjerë qoftë Andorra qoftë Letonia mund të hapin probleme. Jam shumë i sigurtë që njëri nga ne do të bëj hap fals me ato. Anglia vështirë, por ne ose Serbia po. Uroj që mos ta bëjmë ne hapin fals. Ta bëjnë serbët. Në përballjet direkt të kemi një bilanc pozitiv me ta dhe të realizojmë këtë objektiv, që të jemi në vendin e dytë”, u shpreh Duka.

Lidhur me këtë foli edhe për atmosferën e kësaj sfide.

“Kjo është bashkë. Tribuna dhe fusha janë bashkë. Të gjithë ne jemi bashkë, duhet të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mos krijojmë trysni dhe ambient konfliktual ndaj skuadrës. Të prodhojmë energji pozitive, ta mbështesim skuadrën dhe të fitojmë sportivisht. Nëse fiton ndeshjen i ke realizuar të gjithë pritshmëritë e tua. Nëse vë të gjitha gjërat e tjera para ndeshjes, do të rrëzohen edhe këto”, potencoi ai.

Duka u pyet edhe për çmimet e biletave të cilat janë shtrenjtuar pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024.

“Kombëtarja rritet, shpenzimet rriten, ekonomia ka ndryshuar. Ne jemi një federatë që organizojmë gjithë futbollin shqiptar dhe kombëtaren vetëm me financat tona. Nuk kemi ndihmë nga askush. Të ardhurat tona janë vetëm të drejta nga transmetimet, të drejta nga marketingu dhe të drejta nga biletat. Detyrimisht këtë lloj produkti detyrohesh ta monetizosh që ta zhvillosh akoma më shumë. Por gjithsesi çmimet nuk janë të papranueshme. Shpesh herë abuzohet nga dashakeqës mediatik, ose dashakeqës nga fusha të tjera. Që konsiderojnë çmim të rritur të biletave apo biletat VIP. Biletat VIP janë shumë pak dhe janë për sponsor, nuk janë për tu tregtuar. Në eksperiencën europiane Madje nuk deklarohen fare si çmime. Ndërsa çmimet e biletave për tifozët 2000 apo 3000 lekë nuk mund të konsiderohen shumë të larta”, vazhdoi Duka.

Për fund ai pati edhe një mesazh për të gjithë tifozët.

“Ta përjetojmë si ndeshje futbolli. Të krijojmë një atmosferë pozitive. Të mbështesim maksimalisht njëri tjetrin. Të mbështesim skuadrën që të shkojë drejt rezultatit. Të mendojmë vetëm për skuadrën dhe për sportin, jo për gjëra të tjera”, përfundoi i pari i FSHF-së, Armand Duka.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë luhet me 7 qershor në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë me fillim nga ora 20:45./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale