U zgjedh golashënuesi më i mirë por skuadra e tij ra nga Superliga, Zeka: Kam dhënë shpirtin në fushë, zemra më është thyer

20:47 | 25 Maj 2025
D.H

Mevlan Zeka u shpall golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës me 21 gola.

Përkundër këtij suksesi personal, skuadra e tij Suhareka u eliminua nga Superliga dhe ra në Ligën e Parë, shkruan Arbresh.info.

Pas kësaj kampanje, futbollisti kryesor i Suharekës, reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka shkruar se ndihet i thyer emocionalisht që skuadra e tij ka rënë, përkundër suksesit të tij personal.

“Golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës 2024-2025 me 21 Gola – një arritje që më mbush me krenari, sepse pas saj fshihen sakrifica, mund, lot, e momente që vetëm unë i di. Por në të njëjtën ditë, zemra më është thyer sepse skuadra ime, për të cilën kam dhënë gjithçka ra nga Superliga”, ka shkruar fillimisht ai.

Më tej, Zeka tha se ka dhënë gjithçka për këtë fanellë por se futbolli sipas tij është i padrejtë ndonjëherë.

“Nuk është e lehtë ta pranosh këtë. Kam luftuar çdo ndeshje, çdo minutë, me zemrën në dorë, për fanellën e FC Suharekës . Kam dhënë shpirtin në fushë, por ndonjëherë, futbolli është edhe i padrejtë”.

“Sot, ndonëse emri im shkruhet lart në tabelën e golashënuesve, zemra më dhemb sepse nuk ka krenari personale që mbush boshllëkun që lë pas rënia e një skuadre që bën gjithqka per të”.

Për fund ai ka falënderuar bashkëlojtarët dhe gjithë stafin që i qëndruan afër këtë sezon.

“Faleminderit të gjithë bashklojtaëve, trajnerëve dhe gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë, që më kanë besuar, që më kanë duartrokitur dhe më kanë mbështetur në çdo hap. Ky nuk është fundi – ky është një betim për te vazhduar fuqishëm. Faleminderit. Me zemër ju dua”, përfundoi ai.

Suhareka ra nga liga në sezonin e tyre të parë debutes në Superligë. Përvec tyre edhe Feronikeli ’74, u përshëndet me elitën e futbollit kosovar, kurse Llapi do të luaj në barazh me Vushtrrinë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale