18 të plagosur në një sulm me thikë në stacionin e Hamburgut – katër në gjendje kritike

08:00 | 24 Maj 2025
E.K

18 persona u plagosën të premten në mbrëmje në një sulm me thikë në stacionin kryesor të trenit në Hamburg, raportoi gazeta gjermane Bild. Policia lokale konfirmoi se ka arrestuar sulmuesen e dyshuar, një grua 39-vjeçare, e cila nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit.

Sipas të dhënave paraprake, katër prej viktimave ndodhen në gjendje kritike, ndërsa gjashtë të tjerë kanë marrë plagë të rënda. Motivimi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Zëdhënësi i policisë së Hamburgut, Florian Abbenseth, deklaroi:

“Deri më tani nuk kemi prova që të tregojnë se gruaja ka vepruar për arsye politike. Përkundrazi, kemi të dhëna që na shtyjnë të hetojmë nëse ajo mund të ketë qenë në një gjendje të rëndë mendore.”

Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm oficerë policie dhe ekspertë mjeko-ligjorë, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz, reagoi përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), ku e cilësoi ngjarjen si “tronditëse” dhe shprehu ngushëllimet e tij:

“Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre.”