Rritje e ndjeshme e ndërhyrjeve ortopedike në QKUK gjatë tremujorit të parë të këtij viti

10:33 | 16 Maj 2025
E.K

Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar një rritje të ndjeshme të volumit të punës gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, me theks të veçantë në numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale për vendosjen e protezave.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej 124 operacione ortopedike nga lista e pritjes, në krahasim me vetëm 52 të tilla në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Kjo rritje konsiderohet si një sukses domethënës për Klinikën, duke reflektuar angazhimin dhe profesionalizmin e stafit mjekësor.

Postimi i plotë:

Rritje e ndjeshme e vëllimit të punës në Klinikën e Ortopedisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2025

Klinika e Ortopedisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës njofton se gjatë tremujorit të parë të këtij viti është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale-protezave të realizuara.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë kryer gjithsej 124 ndërhyrje ortopedike-proteza, nga lista e pritjes, krahasuar me vetëm 52 operacione të realizuara në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Kjo rritje përfaqëson një sukses të dukshëm në angazhimin dhe performancën e stafit të Klinikës.

Mirënjohje për stafin, të cilët me përkushtim e profesionalizëm po e përballojnë volumin në rritje të punës, në shërbim të pacientëve nga e gjithë Kosova.

Përkundër rritjes së numrit të operacioneve, akoma ekziston lista e pritjes, por po punohet për t’u rritur edhe më tutje vëllimin e punës, por si klinika e vetme terciare në vend, Klinika e Ortopedisë mbetet e mbingarkuar me raste.

Aktualisht, klinika është e furnizuar në mënyrë të mjaftueshme me proteza, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve.

Po ashtu, gjatë këtij viti pritet që ShSKUK, për herë të parë të furnizojë me proteza spitalet e përgjithshme në vend, që do të kontribuojë në shpërndarjen më të drejtë të ngarkesës dhe shkurtimin e listave të pritjes.

Klinika e Ortopedisë mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pacientët që kanë nevojë për trajtim ortopedik në Republikën e Kosovës./Arbresh.info