Costa: Kosova e ka vendin në BE, por duhet t’i përmbushë zotimet në dialog

19:08 | 14 Maj 2025
E.H

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se Kosova e ka vendin në BE.

Në një konferencë për media pas takimit, Costa cilësoi se anëtarësimi i Kosovës në BE do të bëhet pasi të përmbushen angazhimet nga pala kosovare.

“Nuk mund të theksoj sa duhet sa i rëndësishëm është zgjerimi për Bashkimin Evropian dhe, besoj, edhe për ju dhe vendin tuaj. Ai është një investim në paqe dhe stabilitet, dhe sjell përfitime të konsiderueshme për qytetarët tuaj. Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe. Është thelbësore të vazhdohet puna për zbatimin e agjendës suaj ambicioze të reformave, në mënyrë që të përfitoni plotësisht prej saj. Siç e dini, është gjithashtu jetike që të arrihet përparim i vërtetë dhe i prekshëm në dialog dhe të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte në dobi të rrugës suaj evropiane dhe, në fund të fundit, për jetën e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Costa.

“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian, por kjo kërkon gjithashtu që ju të përmbushni angazhimet tuaja. Me përfaqësuesin e ri të posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, të emëruar këtë vit, është koha të shfrytëzohet kjo mundësi dhe të ecet përpara. Keni punuar shumë për të forcuar demokracinë tuaj gjatë viteve të fundit dhe jam i bindur se do të vazhdoni në të njëjtin drejtim. Kjo gjithashtu përfshin ndërtimin e konsensusit ndërmjet forcave të ndryshme politike”, tha tutje Costa.

Ndryshe, pas përfundimit të konferencës, Costa është pritur në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme