LDK mirëpret vendimin e Kushtetueses për KPM-në

18:24 | 23 Prill 2025
E.G

Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, ligj të cilin LDK-ja e kishte kontestuar në po këtë Gjykatë.

LDK thekson se ky vendim konfirmon shkelje të rënda të parimeve kushtetuese që garantojnë pavarësinë institucionale, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin medial në Republikën e Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se disa dispozita të Ligjit të kontestuar janë kryesisht në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës, që përcakton vlerat dhe parimet kushtetuese si dhe nenin 141 të Kushtetutës, i cili garanton pavarësinë e KPM-së.

Në veçanti, ndryshimet që i japin Kuvendit kompetenca për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së dhe rritja e numrit të anëtarëve të saj, pa konsultime të duhura publike, janë vlerësuar si ndërhyrje që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni të rëndësishëm për pavarësinë mediale në vend.

Në komunikatën për media, LDK shpreh shqetësim “për tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar ndikim dhe kontroll politik mbi institucionet e pavarura, si në këtë rast mbi KPM-në, me qëllim forcimin e kontrollit mbi mediat audiovizuale.”

“Këto veprime përbëjnë shkelje të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, duke rrezikuar funksionimin e asaj që njihet si “shtylla e katërt” e shtetit.”, njofton LDK.

“LDK do të angazhohet që Legjislatura e re e Kuvendit si dhe Qeveria e re të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të korrigjuar shkeljet e konstatuara. Është e domosdoshme që çdo ndryshim ligjor të bëhet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë konsultime me palët e interesuara dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për lirinë e medias.”, thuhet tutje.

“LDK do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe lirisë së shprehjes, duke kundërshtuar çdo përpjekje për kapjen politike të mediave dhe cenimin e demokracisë në vend.”, thuhet tutje./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale