Konjufca, emri i radhës i propozuar nga Vetëvendosje për Kryeparlamentar

12:18 | 23 Prill 2025
E.K

Pas dështimit për herë të tretë për votimin e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendi të Kosovës, Vetëvendosje ka ndërruar mendje. Kandidati për kryetar të Kuvendit në seancën e radhës i propozuar nga Vetëvendosje pritet të jetë Glauk Konjufca.

Kështu bërë të ditur burime të Arbresh.info brenda Vetëvendosjes, pasi kandidati i vetëm i pëlqyer nga te gjitha partitë opozitare është Konjufca.

Ndërkohë, rregullorja e re e Kuvendit parasheh që ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë. Kjo do të thotë se seanca e radhës duhet të mbahet brenda dy ditëve të ardhshme – konkretisht të premten, në orën 10:00.

Ndryshe, kandidatura e Albulena Haxhiut dështoi për herë të tretë sot, pasi ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në raundin e tretë të votimit. Procesi u karakterizua nga mungesa e një konsensusi politik, me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë dhe partitë opozitare që nuk ofruan mbështetje.

Tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan nga votimi, ndërsa vota e deputetit Adem Hoxha nga Partia Unike Gorane mbetet e paqartë, pasi ai nuk votoi as pro, as kundër, dhe as nuk abstenuoi zyrtarisht. Nëntë deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në votim, ndërsa deputetja boshnjake Duda Balje ishte e munguar.

Në total, në seancë ishin të pranishëm 117 deputetë, prej të cilëve 106 morën pjesë në votim. Kandidatura e Haxhiut mori 57 vota pro, 46 kundër dhe 3 abstenime – çka nuk mjaftoi për ta kaluar pragun e nevojshëm për zgjedhje./Arbresh.info