Gjykata refuzon propozimin e Prokurorisë Speciale për gjykim në mungesë ndaj 40 të akuzuarve në rastin “Banjska”

16:17 | 18 Prill 2025
E.K

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zhvillimin e gjykimit në mungesë ndaj 40 të pandehurve të akuzuar në rastin “Banjskë”, që lidhet me ngjarjet në Zveçan.

Sipas njoftimit për media, të pandehurit akuzohen për veprën penale kryerja e veprës penale terroriste, si dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Njëri nga të akuzuarit, M.R., ngarkohet gjithashtu me veprat penale lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit, si dhe shpëlarje parash.

Gjykata ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për zhvillimin e gjykimit në mungesë ndaj personave që ndodhen në arrati.

“Kryetari i trupit gjykues, ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, gykimi ndaj të pandehurve në fjalë, do të vazhdoj pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës.

 

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar më herët fletarrestime ndërkombëtare me qëllim për t’i sjellë para gjykatës.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash./Arbresh.info