Tragjedi në Itali: Katër të vdekur dhe një i plagosur rëndë nga rrëzimi i teleferikut

15:03 | 18 Prill 2025
E.K

Katër persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë të enjten në Itali, kur një teleferik ra në një luginë pranë Sorrentos, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

Aksidenti ndodhi pas këputjes së një kablloje në teleferikun e Monte Faitos, në rajonin e Campanias, në jug të Italisë. Sipas presidentit të këtij rajoni, Vincenzo De Luca, teleferiku ra për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes raportuan se kabina e teleferikut u rrëzua në luginë, duke goditur një shtyllë dhe më pas një vinç në një kantier ndërtimi poshtë. Në momentin e aksidentit, në bord ndodheshin dy çifte dhe një punëtor i teleferikut.

Sipas brigadës italiane të zjarrfikësve, një person i mbijetoi rënies, por u plagos rëndë dhe u transportua me helikopter në një spital në Napoli.

Teleferiku ishte rihapur së fundmi, më 10 prill, pas një faze rinovimi. Ai lidh qytetin bregdetar Castellammare di Stabia me majën e Monte Faitos, në një lartësi prej 1092 metrash, duke ofruar pamje panoramike të Gjirit të Napolit dhe vullkanit Vezuv.

Ekipet e shpëtimit arritën të evakuojnë 16 persona nga kabinat e tjera të teleferikut, që ndodheshin më poshtë pikës së ndërprerjes së kabllos. Nuk kishte kabina të tjera mbi vendin e aksidentit, sipas autoriteteve. Erërat e forta dhe mjegulla e dendur vështirësuan përpjekjet e shpëtimit, që zgjatën më shumë se 90 minuta.

Presidenti i Senatit të Italisë, Ignazio La Russa, reagoi në rrjetet sociale duke shprehur ngushëllime për viktimat dhe falënderime për ekipet e shpëtimit, shkruan CNN.