Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se propozimi nga Vuçiq i Demo Berishës për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është një goditje e rëndë për çdo shqiptar që ka vuajtur, rezistuar dhe sakrifikuar për të drejtat e veta në Serbi.
Me anë të një postimi në Facebook, Kamberi tha se ky emërim është moralisht i turpshëm, shkruan Arbresh.info.
Sipas tij, Demo Beriša nuk është një përfaqësues i të drejtave të njeriut, por një simbol i mohimit të identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
Kamberi tregoi aktivitetin e Berishës duke e quajtur edhe Faik Jashari 2.0.
“Siç dëshmojnë pamjet, deklaratat dhe intervistat publike, Demo Beriša është një ish-oficer i ushtrisë serbe, pjesë e strukturave që kanë qenë të përfshira në krime të luftës në Kosovë. Edhe pse thotë se është nga Peja, ai publikisht deklaron se atdheu i tij është Serbia, se Kosova është “Kosova e Metohisë” dhe mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës. Jo vetëm kaq – ai është themelues i një organizate me emër serb, “Matica Albanaca Srbije,” ku mbrohet trashëgimia e bashkëpunëtorëve të Serbisë në periudhat më të errëta të historisë sonë, madje edhe Esat Pashë Toptani, i njohur për tradhti ndaj kombit shqiptar.”, tha ai.
“Demo Beriša vetem mund te jete Faik Jašari 2.0, i cili ishte pjesëmarrës në delegacionin e Serbisë në Rambuje. Faik Jašari, edhe pse kishte zgjedhur të mbetet pjesë e institucioneve të Serbisë para vitit 1999, pas luftës u detyrua të largohej nga Kosova dhe për 20 vjet nuk është kthyer më. Ai është simbol i një të kaluare që ka përfunduar. Ai mbetet jashtë institucioneve, jashtë Kosovës, si një figurë e harresës dhe disfatës, figure kuislinge. Ndërsa Demo Beriša, i cili ndan të njëjtën ideologji me Jašarin – që Kosova është Serbi dhe shqiptarët duhet të nënshtrohen nën këtë realitet – po promovon këtë frymë si “shqiptari model” për Serbinë.”, shtoi Kamberi.
“Ai shfaqet në intervista duke mohuar NATO-n, duke përkrahur narrativën serbe për luftën dhe duke u paraqitur si përfaqësues i shqiptarëve në Serbi. Ai është përdorur dhe po përdoret si një mjet propagandistik për të legjitimuar narrativën se shqiptarët janë të integruar dhe të kënaqur në Serbi – për sa kohë që ata mohojnë Kosovën dhe i binden Beogradit.”, theksoi ai.
Mes të tjerash, Kamberi tha se Demo Beriša nuk përfaqëson shqiptarët, por një version të të instrumentalizuar për interesa të politikës serbe, sikurse disa tjerë në periudhën e Millosheviqit.
“Propozimi i tij si ministër nuk është për të drejtat e njeriut, por për vazhdimin e një politike që do të shuajë zërin e shqiptarëve të vërtetë në Serbi, sikurse përfaqëson edhe një fyerje për të gjitha pakicat tjera në Serbi, që përbëjnë 20 përqind të popullatës së këtij shteti.”, u shpreh deputeti Kamberi.
Ai shtoi se ky propozim është i rrezikshëm sepse legalizon mohimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, dhe institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e tyre do të shndërrohet në një parodi të vetvetes.
“Prandaj, ky emërim nuk duhet të kalojë pa reagim – as nga shqiptarët e Luginës, as nga institucionet në Prishtinë, as nga Tirana zyrtare dhe as nga faktori ndërkombëtar. Heshtja ndaj këtij absurdi është bashkëfajësi.”, përfundoi ai./Arbresh.info/
SPAK nënshkruan pesë memorandume mirëkuptimi me vendet e Ame...
KQZ: Deri tani 63,997 votues nga diaspora janë regjistruar p...
FIFA nderon Trumpin me Çmimin e Paqes: Lidershipi i tij gara...
Publikohet marrëveshja në letër e Vetëvendosjes me tri parti...
Obiliq: Arrestohet një person për vjedhje të rëndë në pompë ...
KFOR-i forcon aktivitetet në mbështetje të sigurisë në të gj...