Shkelja e marrëveshjes mbi armëpushimin, Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën

18:26 | 12 Prill 2025
E.K

Diplomatët kryesorë të Rusisë dhe Ukrainës kanë akuzuar sot njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike.

Dy ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës denoncuan vendet respektive në Forumin vjetor të Diplomacisë në Antalia, një ditë pasi i dërguari i SHBA Steve Witkoff u takua me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar perspektivat e paqes.

Aleatët evropianë të Ukrainës premtuan të premten miliarda dollarë për të ndihmuar Kievin që të vijojë mbrojtjen përballë Rusisë.

Ndërsa Moska dhe Kievi ranë dakord në parim muajin e kaluar për të zbatuar një armëpushim të kufizuar 30-ditor, ata lëshuan deklarata kontradiktore menjëherë pas bisedimeve të tyre të veçanta me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite. Por gjithaçka ndryshoi, duke bërë që palët të shkelin marrëveshjen.

“Ukrainasit na kanë sulmuar që në fillim, çdo ditë që kalon, ndoshta me dy ose tre përjashtime”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke shtuar se Moska do t’i sigurojë SHBA-së, Turqisë dhe organeve ndërkombëtare një listë të sulmeve të Kievit gjatë tre javëve të fundit.

Gjithashtu, një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme ruse u tha mediave shtetërore të shtunën se Moska ka ndarë informacione me SHBA-në në lidhje me më shumë se 60 shkelje të supozuara të marrëveshjes nga Kievi. Sipas Lavrovit, Rusia u ishte përmbajtur kushteve të marrëveshjes.

Homologu i tij ukrainas, Andrii Sybiha, e kundërshtoi ashpër këtë pretendim, duke thënë se Rusia kishte lëshuar “pothuajse 70 raketa, mbi 2,200 dronë dhe mbi 6,000 bomba ajrore të drejtuara në Ukrainë, kryesisht kundër civilëve”, që kur ra dakord për një pauzë të kufizuar të sulmeve.

“Kjo i tregon qartë botës se kush dëshiron paqe dhe kush dëshiron luftë” tha ai.

Forcat ruse mbajnë avantazhin në Ukrainë dhe Kievi ka paralajmëruar se Moska po planifikon një ofensivë të re pranverore për të rritur presionin ndaj armikut të saj dhe për të përmirësuar pozicionin e saj negociues.

Ukraina ka miratuar një propozim më të gjerë të armëpushimit të SHBA-së, por Rusia e ka bllokuar atë duke vendosur kushte të tjera. Qeveritë evropiane e kanë akuzuar Putinin për zvarritjen e procesit.

Një ditë më parë presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetet sociale se “Rusia duhet të lëvizë” në rrugën drejt përfundimit të luftës./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme