Komiteti Olimpik i Kosovës reagon pas heqjes së flamurit të Kosovës në Kongresin e UEFA

12:42 | 4 Prill 2025
E.K

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shprehur shqetësimin e tij pas heqjes së flamurit të Kosovës nga ambientet e Kongresit të 49-të të UEFA-s, i cili u mbajt në Beograd, Serbi. Ky akt ka shkaktuar një valë reagimesh dhe ka ngritur pyetje mbi organizimin e ngjarjes dhe trajtimin e Kosovës në këtë forum ndërkombëtar.

Gjatë Kongresit të UEFA-s, mikpritësi i ngjarjes, Serbia, ka vendosur të heqë flamurin e Kosovës nga vendi ku po mbahej Kongresi, një veprim që ka ngjallur indinjatë. Pjesë e këtij akti ishte edhe djegia e flamurit nga huliganët, një veprim që ka thelluar shqetësimet dhe ka shtuar kritikat ndaj organizatorëve.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka kërkuar sqarime nga UEFA lidhur me këtë incident dhe e ka cilësuar veprimin si të papranueshëm dhe të turpshëm. KOK kërkon gjithashtu marrjen e masave ndaj mikpritësit të Kongresit, Serbia, për përfshirjen e saj në heqjen dhe djegien e flamurit të Kosovës.

Në reagimin e tij, Komiteti thekson se Kosova dhe institucionet sportive të vendit janë anëtare të barabarta në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pa marrë parasysh vendin mikpritës.

“KOK kërkon sqarime nga organizatori i Kongresit, në këtë rast UEFA, për heqjen dhe djegien e flamurit, e njëkohësisht kërkojmë marrjen e masave të mikpritësit të këtij Kongresi, i cili sipas pamjeve të publikuara edhe gjatë punimeve të Kongresit u përfshi në aktet e heqjes së flamurit. Kosova dhe institucionet tona sportive janë anëtare të barabarta në të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pavarësisht se kush është vendi mikpritës”, thuhet në reagim./Arbresh.info