Murati kritikon kërkesën e Osmanit për largimin e tarifave për produktet amerikane: Ne veçse kemi qenë duke shqyrtuar këtë temë

21:40 | 3 Prill 2025
E.H

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kërkesës së presidentes Vjosa Osmani, për largimin e tarifave ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të.

Me anë të një postimi në Facebook, Murati ka kritikuar Osmanin që një kërkesë e tillë i është bërë Qeverisë jashtë orarit zyrtarë, si dhe është bërë publike vetëm 3 minuta pasi i është dërguar email adresës së Qeverisë, përcjell Arbresh.info.

Sipas Muratit, këto çështje duhet të trajtohen larg mediave.

“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë. Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar ministri Murati.

LEXO EDHE:

Osmani kërkon nga Qeveria e Kosovës pezullimin e tarifave për produktet amerikane

Ndër të tjera, Murati potencoi se janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të Departamentit amerikan të Tregtisë për marrëveshje të lirë mes Kosovës dhe ShBA-së.

“Qysh në prill të vitit 2023, gjatë vizitës në Washington DC, bashkë me zëvendës kryeministrin Bislimi kemi takuar përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, me të cilët kemi diskutuar ndër tjera edhe temën e një marrëveshjeje për tregti të lirë me ShBA-të. Çështja e marrëveshjes për tregti të lirë është përsëritur nga Kryeministri Kurti edhe në takimet që ka zhvilluar me ish ambasadorin amerikan Hovenier. Gatishmëria jonë si qeveri dhe si shtet për të pasur tregti të lirë e pa asnjë barrierë tarifore apo jo-tarifore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të qëndrojë edhe më tej”, u shpreh tutje Murati.

Ndonëse vendosja e tarifave prej 10 për qind për mallrat nga Kosova nga administrata Trump ka ndikim të vogël në ekonomi, Murati tha se synon që të rritet vëllimi i këmbimit tregtar për tregti të lirë.

“Gjatë ditës së djeshme, kemi diskutuar me Kryeministrin në lidhje me implikimet e mundshme që ka vendimi i Presidentit Trump për vendosjen e tarifave ndaj të gjitha shteteve me të cilat SHBA-të kanë raporte tregtare. Fatmirësisht, Kosova bën pjesë në grupin e shteteve që u është vendosur shkalla tarifore minimale prej 10%. Marrë parasysh edhe vëllimin e vogël tregtar që kemi, impakti financiar i pasjes apo jo të një regjimi tarifor ka ndikim të vogël në ekonominë tonë. Gjithsesi, si partnerë e aleatë të përhershëm, synimi ynë është që të rritet vëllimi i këmbimit tregtar, dhe e mbështesim plotësisht parimin e Presidentit Trump për tregti të lirë e pa barriera dhe fer. Kjo mund të arrihet përmes një marrëveshjeje për tregti të lirë, që do të shërbente edhe si një shkallë shtesë drejt ngritjes e forcimit të marrëdhënieve të forta që tashmë kemi”, tha Murati.

“Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë”, tha në fund Murati./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme