Doarsa Kica-Xhelili: LDK-në po e sulmojnë tre grupe

19:41 | 1 Prill 2025
E.H

Deputetja e Kuvendit të Kosovë, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar lidhur me bisedat në “Viber” të Kreysisë së LDK-së lidhur me manipulimin me votat e diasporës.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Kica-Xhelili tha se Lidhjen Demokratike të Kosovës po e sulmojnë tre grupe.

Sipas saj, grupi i parë është grupi “ZdraVVo”, grupi i dytë është “PDK f.m. stereo” dhe grupi i tretë është “vështirë i identifikueshëm”.

LEXO EDHE:

Përplasja e Abdixhikut me Hotin në “Viber” për vjedhje të votave e akuzave për “skemë të organizuar kriminale”

Postimi i plotë:

Grupi i parë, është grupi ZdraVVo. Grupi që pas kapelave të Nagip Krasniqit fsheh kokën e tij, por jo edhe mendimet e Dejona Mihalit (tjerët nuk kanë mendim, vetëm amplifikojnë atë që e mendon ajo). Këtyre sot nuk i konvenon LDK e betonuar kundër tyre. Prandaj, këta që kanë perfeksionuar për vete skemat e mafisë energjetike nëpër grupe të Whatsappit, e kanë hak partinë që ua shpërfaqi gjithë skemat korruptive.

Grupi i dytë, është grupi PDK f.m. stereo. Grupi që me eksponentët e saj “analitik”, si një radio e stërvjetëruar, të shpërndarë nëpër emisione trumpetojnë se paskan mbështetur LDK-në, por se LDK qenka sot “e paguximshme dhe bllokuese”. Këta e kanë mbështetur rrejshëm një LDK me qëllimin që të bëhet levë e PDK-së, duke menduar që kështu e legjitimojnë presionin e tyre të mëvonshëm mbi LDK-në. Ju thash pra: të stërvjetëruar.

Grupi i tretë është më vështirë i identifikueshëm. Është zhurma e sulmeve që refuzon reformën në LDK. Me reformë nuk e mendoj ndryshimin gjeneracional, asnjëherë, por ndryshimin e mendësisë. Ndoshta nuk i konvenon kryetari; ndoshta nuk i konvenon LDK e qëndrimeve parimore, nuk e di.. por në një formë a tjetrën, bashkëshërbejnë në misionin e dy grupeve paraprake.

Sa i përket komunikimeve private në kryesi: Hiperbolizimi i mendimeve personale, dikujt po i shërben. Por jo edhe gjatë. Ekzaltimi i tyre përfundon në pastërtinë e konkluzionit në kryesi: Kush ka dëshmi për orientim jolegjitim të votës përbrenda – urdhëroni shkoni në prokurori. Përndryshe, ne nuk mund të lëshohemi në pakënaqësitë e rezultateve individuale të “thash më the”-ve. Ato vota janë votë e LDK-së. Se nëse dikush i ka orientuar brenda për brenda kundërligjshëm – adresën e trajtimit e kanë. Ne nuk jemi as prokurori, as gjykatë.

Këto tre grupe e kanë NJË të madhe të përbashkët: ELEFANTIN NË DHOMË, apo ndryshe thënë, nuk i konvenon një LDK e pavarur. Një LDK që nuk nënshtrohet në retorika boshe e zhurmë shurdhuese të urisë së dikujt për pushtet të pakuptimtë.

Atë që e bëjnë këto tre grupe s’e quaj dot “shantazh”, sepse për të shantazhuar të duhet material. E kjo e fundit i mungon – ndaj dhe viraliteti i mllefit. Kësaj viroze të tyre i uroj shërim të shpejtë. Por ilaçin te ne s’do e gjejnë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme