Kjo përplasje nuk është në interesin e askujt, deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen lidhur me tarifat që SHBA do të vendosë duke filluar nga nesër.
“Nuk e filloi Evropa këtë përplasje dhe ne nuk duam domosdoshmërisht të hakmerremi, por ne kemi një plan të fortë për t’u hakmarrë nëse është e nevojshme”, theksoi ajo.
“Tarifat janë taksa që do të paguhen nga popullsia. Ato janë taksa për amerikanët, për ushqimet dhe ilaçet e tyre. Ato vetëm sa do të nxisin inflacionin. Pikërisht e kundërta e asaj është ajo që ne duam të arrijmë. Fabrikat amerikane do të paguajnë më shumë për komponentët e prodhuar në Evropë”, vuri në dukje Von der Leyen duke theksuar se e gjithë kjo “do të kushtojë vende pune dhe do të krijojë një përbindësh burokratik… për të gjitha procedurat doganore të SHBA”.
”Sot, askush nuk ka nevojë për to, as në Shtetet e Bashkuara dhe as në Evropë”, shtoi ajo duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të bashkëpunojnë në zgjidhjen e ”problemeve serioze në tregti” si ”mbikapaciteti, disbalancat, subvencionet e padrejta, mohimi i aksesit në treg dhe vjedhja e pronës intelektuale”.
“Dëgjoj amerikanët kur thonë se të tjerët kanë përfituar nga rregullat. Jam dakord. Edhe ne vuajmë nga kjo. Kështu që e kuptoj që Amerika dëshiron të riindustrializohet, dhe po ashtu edhe Evropa. Pra, le të punojmë për këtë. Por, tarifat në përgjithësi i bëjnë gjërat më keq, jo më mirë”, përsëriti presidentja e Komisionit të BE-së/abcnews.al
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...
Policia ndalon një automjet në Çagllavicë, kapet kosovari dh...
Gruaja e lënduar dërgohet dy herë në spitalin e Mitrovicës d...
Dita e ndeshjes: Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e ...
SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4...
Një i vdekur, 24 të lënduar dhe 2,147 tiketa të shqiptuara n...