60 vjet nga ndarja nga jeta e Fan Nolit

08:29 | 13 Mars 2025
E.K

Sot bëhen 60 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit.

Regjimi zogist u rikthye me atë që u quajt “Fitore e Legalitetit” më 24 dhjetor 1924 dhe e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Noli lindi më 6 janar 1882 në Ibriktepe, një fshat shqiptar në Thrakë, jo shumë larg Edrenës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në greqisht në Heybeliada të Stambollit.

Megjithatë, më shumë se çdo gjë, ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip, kundrejt ndikimit të Patriarkanës Ortodokse që synonte të kontrollonte ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900, Noli shkoi në Greqi për të siguruar jetesën dhe për të ndjekur studimet në fakultetin e filozofisë. Atje, ai u lidh me një kompani belge që zotëronte tramvaje me kuaj, por nuk pati sukses dhe nuk i mbaroi studimet. Më pas, punoi si kopist, sufler dhe aktor me një trupë teatrore greke që shfaqej edhe në skelën e Galatas.

Në periudhën 1909-1911, Noli botoi gazetën “Dielli”, që shërbente si zëdhënës i komunitetit shqiptar në Boston. Në gusht 1911, ai u nis për në Evropë, ku zhvilloi shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë shqiptare në Kishinau, Odesa, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, së bashku me Faik bej Konicën, ishte një nga themeluesit e shoqatës mbarëshqiptare “Vatra”, e cila luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli mbështeti qeverinë e Ismail Qemalit dhe, më vonë, mori pjesë në Kongresin Shqiptar të Triestes.

Në korrik të vitit 1913, Noli mbajti shërbesën e tij të parë kishtare ortodokse në Shqipëri, në prani të princit Vilhelm Vid, që kishte mbërritur në Durrës. Më 1915, ai u kthye në SHBA, ku vazhdoi të angazhohej për çështjen shqiptare, duke themeluar revistën “The Adriatic Review” dhe duke punuar në gazetën “Dielli”.

Në vitin 1921, Noli u zgjodh deputet i Kolonisë së Amerikës dhe shërbeu për një kohë të shkurtër si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Më 1923, ai u shugurua ipeshkëv i Korçës dhe mitropolit i Durrësit.

Në vitin 1953, në moshën 71 vjeçare, Noli u vendos në Fort Lauderdale, Florida, ku vdiq më 13 mars 1965.

Ai u varros në varrezat e Forrest Hill në Boston. Kisha Autoqefale që ai themeloi më vonë u bë Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Kisha Ortodokse në Amerikë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale