Pas përfundimit të mandatit të Jeffry Hovenier si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, emri i Bex Aliut, një shqiptaro-amerikan me përvojë diplomatike, është përfolur si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar atë në këtë post.
Ky emërim i mundshëm ka ngjallur interes të madh, pasi mund të shërbejë si një mundësi për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve, duke u bazuar në një periudhë sfidash dhe tensionesh të vazhdueshme në rajon, përfshirë këtu presionet nga Serbia dhe Rusia ndaj sovranitetit të Kosovës.
Sipas Artan Muhaxhirit, analist politik, nga faktorët kyç në përzgjedhjen e ambasadorëve është niveli i interesit shtetëror që ka një vend për atë komb, duke nënvizuar se ambasadori i SHBA-ve në Kosovë do të jetë në përputhje me projeksionet e administratës amerikane për rajonin.
Ai thekson se aleanca e Kosovës me SHBA-në është jetike për fuqizimin e shtetit, politikës dhe identitetit të Kosovës, duke nënvizuar se çdo ambasador i SHBA-ve do të kërkojë përshpejtim të dialogut dhe respektim të marrëveshjeve të arritura.
“Kriteri kryesor i përzgjedhjes së një personaliteti për postin e ambasadorit është niveli i interesit shtetëror për vendin ku do të dërgohet. Sa i madh interesi, aq më e madhe statura ndikuese e personalitetit – në Uashington dhe në shtetin pritës. Edhe në rastin e Kosovës, SHBA-të do ta dërgojnë një ambasador që do të jetë në përputhje me projeksionet e tyre për rajonin tonë gjatë këtij mandati. Pa asnjë dyshim, se cili ambasador do të kërkojë përshpejtim të dialogut, respektim të marrëveshjeve të arritura, si dhe kompromise pragmatike”, thotë ai.
Gjithashtu, ndryshime të thella në politikën e jashtme të administratës Trump, që sipas tij, është shumë më e drejtpërdrejtë dhe më e ashpër në kërkesa.
“Administrata Trump është skajshmërisht e ndryshme prej të kaluarave – jashtëzakonisht më e drejtpërdrejtë dhe më e ashpër në kërkesa, veçanërisht në imponimin e rolit dominues gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Aktualisht, shteti i Kosovës s’ka raporte të mira me SHBA-të, prandaj do të nevojitet punë shumë e madhe që të arrihen ndryshimet pozitive. Qeveria e re do të duhej ta kishte prioritet, pasi në të kundërtën do të vazhdohej stagnimi i tashëm negativ”, shton ai.
Nga ana tjetër, analisti tjetër politik, Avni Arifi, ka komentuar mundësinë e emërimit të Bex Aliut, duke theksuar rëndësinë e këtij vendimi për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.
Ai vlerëson pozitiv faktin që SHBA ka emëruar një diplomat me prejardhje shqiptare, duke theksuar se kjo mund të sjellë një kuptim më të thellë të historisë, kulturës dhe rrethanave të Kosovës.
“SHBA është një vend demokratik me tradite te gjate te demokracisë. Madhështia e SHBA është se përbehet nga njerëz te të gjitha kombeve dhe kulturave që me kohë i kane përqafuar vlerat dhe kulturën Amerikane. Emërimi i një ambasadorit me prejardhje shqiptare është pozitive për vet shtetin Amerikan sepse ai ka njohuri për historinë, kulturën dhe rrethanave te vendit ku shërben. Ai vjen këtu për te ju shërbyer interesave te SHBA dhe besoj dhe uroj qe ne ato interesa ne si Kosove e gjejmë veten siç e kemi gjetur edhe me pare”, thotë Arifi.
Pavarësisht prejardhjes së Aliut, politika amerikane ndaj Kosovës, sipas tij, nuk do të ndryshojë, por, mund të bëhet më efikase në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.
“Përndryshe, veç se është Shqiptare me asgjë nuk e ndërron politiken Amerikane ndaj Kosovës por ndoshta mund ta bej edhe me efikase ne realizimin e qëllimeve te përbashkëta. Fuqia diplomatike e SHBA qëndron pikërisht ne faktin se çdo diplomat i saj i shërben interesave vetëm e vetëm Qeverise se SHBA dhe Presidentit te saj, kjo vlen edhe për Ambasador Aliun, Hovenier, Hill, Grenel apo secili diplomat tjetër”, pohon ai.
Ndryshe, Bex Aliu (Begzat Azem Aliu),i ka përfunduar studimet për Mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe ka një Master për Studime Strategjike nga Kolegji i Luftës i Ushtrisë Amerikane, duke e pozicionuar si një figurë me profil të lartë për çështjet e sigurisë dhe politikës ndërkombëtare./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...