Dështimi i sistemit të KQZ-së, Ambasada Gjermane: Pajisjet që i paguam, nuk u përdoren fare

15:34 | 13 Shkurt 2025
R J

Ambasada Gjermane në Prishtinë ka njoftuar se donacioni i ofruar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nuk është përdorur gjatë këtyre zgjedhjeve dhe ka sugjeruar që të drejtohen pyetje tek KQZ për arsyet e kësaj situate.

Pavarësisht se ishin kaluar katër vjet nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe kishte pasur kohë të mjaftueshme për përgatitje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dështuar të ofrojë një pasqyrë të qartë dhe pa probleme të votave që filluan të numëroheshin më 9 shkurt 2025.

Duke parë këtë situatë, ku sistemi shpesh tregonte përqindje të çuditshme të votave dhe ishte jashtë funksionimit, kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media mbrëmjen e 9 shkurtit, ka pranuar dështimin e sistemit dhe ka apeluar që të mos merret si referencë faqja e KQZ-së për rezultatet.

Ky problem ka shkaktuar reagime të shumta, shqetësime dhe debate rreth kredibilitetit të procesit të numërimit, me kritika të drejtuara ndaj KQZ-së për këtë dështim dhe kërkesa për përgjegjësi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, duke theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është përgjegjëse për serverët dhe softuerët e KQZ-së dhe ka sqaruar se KQZ ka marrë serverë dhe pajisje të tjera për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga Gjermania.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me softuare-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për softëare-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion”, ka shkruar Kryeziu më 12 shkurt në profilin e tij.

Sipas tij, akuzat ndaj Qeverisë për problemet teknike të KQZ-së ishin përpjekje për shkaktim hutie dhe për të ulur besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatin e tij.

Por këto pajisje të dhuruara nga Gjermania të cilat i përmend zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, s’janë përdorur në këto zgjedhje. Kështu kanë konfirmuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Për më tepër, zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boetcher, ka se pajisjes që Gjermania i ka dhuruar, kanë të bëjnë me infrastrukturën e IT-së së KQZ-së dhe nuk përfshinë pajisje të numërimit të votave.

“Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e TI-së të KQZ-së, megjithatë, ato nuk përfshijnë pajisje për numërimin e zgjedhjeve. Donacioni është organizuar dhe pajisjet janë blerë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të siguruar nga Gjermania”, ka thënë ai për Express.

Christian Boetcher ka theksuar gjithashtu se Ambasada gjermane është njoftuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka thënë se duhet pyetur KQZ-ja se pse këto pajisje s’janë shfrytëzuar.

Lidhur me ecurinë e procesit, sot kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka raportuar tek presidentja Vjosa Osmani dhe ka deklaruar se kanë urdhëruar një hetim lidhur me atë se çfarë ka ndodhur me faqen e KQZ-së.

Të ngjashme