Autoritetet besojnë se 64 personat që ishin në bordin e avionit të kompanisë American Airlines që u përplas me helikoterin Black Hawk të Forcave të Armatosura amerikane ndërsa po i afrohej pistës së uljes në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” kanë vdekur.
Ka të ngjarë që ky të jetë aksideni ajror më vdekjeprurës në SHBA në thuajse çerek shekulli.
Të paktën 28 trupa u nxorrën nga ujrat e akullta të lumit Potomak pasi helikopteri mesa duket fluturoi në trajektoren e avionit të mërkurën vonë, ndërsa aeroplani po bënte uljen pranë aeroportit “Ronald Reagan” në Uashington, thanë zyrtarët.
Në avion gjendeshin 60 pasagjerë dhe 4 anëtarë ekuipazhi. Në helikopter gjendeshin tre pjesëtarë të Forcave të Armatosura.
“Nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar”, tha John Donnelly, shefi i Departamentit të Zjarrëfikëses. “Tani jemi në pikën ku po kalojmë nga një operacion shpëtimi në një operacion kërkimi”, shtoi ai.
Avioni u gjet me kokë poshtë i ndarë në tre pjesë në thellësi të lumit dhe ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në një pjesë të lumit Potomak, deri tek ura “Woodrow Wilson”, rreth 4,8 kilometra në jug të aeroportit, tha zoti Donnelly. Po ashtu u gjetën edhe rrënojat e helikopterit.
Nëse nuk ka të mbijetuar, ky mund të jetë aksidenti ajror më vdekjeprurës në SHBA që nga viti 2001.
Nuk ka ende ndonjë të dhënë për shkakun e përplasjes, por zyrtarët thanë se kushtet e fluturimit ishin të qarta, kur mbërriti nga qyteti Wichita i Kensasit avioni me të cilin udhëtonin patinatorë amerikanë dhe rusë.
“Deri tani ne nuk e dimë pse avioni ushtarak hyri në kursin e … avionit”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë American Airlines Robert Isom.
Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington, kanë kapur një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi. Të dhënat nga avioni tregojnë se ai ishte në një lartësi prej rreth 120 metrash në çastin e përplasjes.
Më pak se 30 sekonda përpara përplasjes, kontrollorët e trafikut ajror pyesin helikopterin nëse e sheh avionin që po vinte “PAT-25, a e sheh CRJ?” dëgjohet të thotë kontrollori dhe pak çaste më vonë bën një tjetër thirrje. “PAT-25 kalo pas CRJ”, me sa duket duke i thënë helikopterit të priste që të kalonte avioni Bombardier CRJ-701. Nuk pasi asnjë përgjigje. Disa sekonda më vonë, avioni u përplas.
Sekretari i Transportit Sean Duffy, i cili e mori detyrën më herët gjatë kësa jave, u pyet nëse mund të siguronte amerikanët se Shtetet e Bashkuara kanë hapësirën ajrore më të sigurtë në botë.
“Përgjigja për këtë është po, absolutisht që po”, tha ai./voa
Zelensky: Garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën janë ...
VV del e para në Malishevë, tejkalon NISMA-n në bastionin e ...
Muharremaj uron Vetëvendosjen për rezultatin zgjedhor: Tani ...
Barcelona tashmë ka zëvendësuesin ideal të Rashfordit
Darka e Krishtlindjes kthehet në tragjedi/ Itali, nëna dhe v...
E hëna, dita më e ftohtë e javës në Shqipëri