Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të Auschwitz-Birkenau në Krakow të Polonisë, krahas liderëve botërorë.
Sipas njoftimit, kjo është hera e parë që kreu i shtetit merr pjesë në këtë ngjarje përkujtimore, duke dëshmuar përkushtimin e Kosovës për paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar, shkruan Arbresh.info.
Në fillim të ceremonisë, Osmani u prit nga presidenti polak, Andrzej Duda.
Ajo shprehu mirënjohje për ftesën dhe potencoi rëndësinë e kujtesës historike për krimet e kryera.
“Kujtimet e disa të mbijetuarve nga kampi Auschwitz-Birkenau sollën rrëfime tronditëse nga kampi i tmerrit me mesazhin e qartë që e shkuara e tyre të mos jetë e ardhmja e fëmijëve tanë.”, njofton presidenca.
Në përkujtim të kësaj dite, gjatë bisedave me liderët e tjerë, Osmani theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të parandaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës dhe për t`i promovuar vlerat universale të paqes, barazisë dhe humanizmit.
Ajo nënvizoi përvojën e tmerrshme të Kosovës, e cila e ka përjetuar luftën dhe gjenocidin nga ana e regjimit të Millosheviqit, duke theksuar se kjo përvojë e bën Kosovën një zë të fuqishëm në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit.
“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”, theksoi Osmani.
Më tej, Presidentja potencoi kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke kujtuar se ata hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë, bazuar në vlerat e besës shqiptare, një akt që mbetet dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe solidaritetit./Arbresh.info/

Gjendet trupi i pajetë i një gruaje në lumin e fshatit Graba...
KQZ mban sot mbledhje, ky është rendi i ditës
Nesër ndërpritet furnizimi me ujë në Bregun e Diellit
Lando Norris, kampioni i botës në Formula 1
116 për VV-në, Kurti: Me qytetarët drejt një fitoreje edhe m...
Zelensky sytë kah Evropa pasi bisedimet SHBA-Ukrainë përfund...