Irani ekzekutoi shtetasin iraniano-gjerman Jamshid Sharmahd i cili ishte dënuar për sulme terroriste, njoftoi të hënën media shtetërore iraniane.
Jamshid Sharmahd ishte dënuar me vdekje në vitin 2023 lidhur me akuzat për “korrupsion në tokë”, një vepër penale që mund të ndëshkohet me dënim me vdekje sipas ligjeve islamike të Iranit.
Ai ishte akuzuar nga Irani se drejtonte një grup që mbështet monarkinë. Ky grup mbahet përgjegjës nga autoritetet iraniane për një sulm vdekjeprurës me bombë në 2008 dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.
Arrestimi i Jamshid Sharmahdit u njoftua në vitin 2020 dhe në deklaratën e atëhershme të ministrisë së Inteligjencës ai cilësohej si “udhëheqësi i grupit terrorist Tondar, i cili drejtoi aktet terroriste ndaj Iranit, nga Amerika”.
Tondar, me bazë në Los Anxheles, thotë se synon të rikthejë monarkinë iraniane që u përmbys nga revolucioni islamik i 1979. Grupi drejton radio dhe stacione televizive pro opozitës iraniane, jashtë vendit.
“Ekzekutimi i dënimit me vdekje ndaj bashkëqytetarit tonë Jamshid Sharmahd është një krim i rëndë”, tha të hënën për agjencinë Reuters udhëheqësi i kristian demokratëve të CDU-së në Gjermani, Friedrich Merz.
Udhëheqësi i opozitës i kërkoi qeverisë gjermane që të reagojë me vendosmëri duke u shprehur se “diplomacia e qetë” ka dështuar.
Ai sugjeroi rishikimin e marrëdhënieve me Iranin duke shtuar se “ambasadori iranian duhet të dëbohet”./VOA
Begaj për personat me autizëm: Të bëjmë gjithçka që ata të j...
Vdes prifti Dom Kelmend Spaqi, që gjatë luftës lajmëronte if...
FMN: Ekonomia e Kosovës në rritje më të ngadaltë, rreziqet p...
Trump thotë se SHBA është afër “ta mbarojë punën” në Iran, p...
Viktor Buzhala largohet nga partia Guxo: “Nuk më mjafton të ...
Haradinaj: VV po pret përfundimin e mandatit të presidentes,...