Rusia e ka sulmuar Ukrainën me raketa, me të cilat e furnizoi Koreja e Veriut, për herë të parë prej se e nisi pushtimin e saj para dy vjetëve, tha një zyrtar i Kievit të premten, duke i vërtetuar vlerësimet e mëhershme të Shtëpisë së Bardhë.
Ai e tha këtë në rrjetin social X, pasi guvernatori i rajonit verilindor Harkiv, tha se rajoni u sulmua me raketa të shprehur nga Rusia, të cilat nuk ishin prodhim rus.
“Nuk ka më maskim… në luftën e saj prej gjenocidi, Federata ruse për herë të parë e goditi territorin e Ukrainës me raketa që i ka marrë nga Koreja Veriore”, tha zyrtari i lartë i Kievit, Mykhailo Podolyak.
Ai nuk ofroi prova se raketat ishin verikoreane. Në një komunikatë për media të enjten, Uashingtoni i citoi të dhënat e inteligjencës amerikane.
“[Rusia] po i sulmon ukrainasit me raketa që i ka marrë nga një shtet, ku qytetarët torturohen në kampe të koncentrimit, vetëm pse kanë radio të paregjistruar, pse flasim me ndonjë turist, apo pse shikojnë emisione televizive”, tha Podolyak.
Kremlini nuk u është përgjigjur pyetjeve rreth vlerësimeve të SHBA-së se Rusia shkrepi raketa verikoreane me rreze të shkurtra veprimi në Ukrainë.
Kombet e Bashkuara vendosën embargo armësh ndaj Koresë së Veriut në vitin 2006, kur ajo e kreu testimin e parë bërthamor.
Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuara me mbështetjen e Rusisë, ua ndalojnë shteteve të bëjnë tregti armësh, apo pajisjesh tjera ushtarake me Korenë e Veriut./REL
Lutfi Haziri zbulon kushtin e LDK-së për një marrëveshje me ...
Temperatura pranverore nesër në Kosovë, deri në 16 gradë
Melania Trump do të drejtojë mbledhjen e Këshillit të Siguri...
Mbi 19 mijë qytetarë nënshkruajnë Peticionin Kombëtar të ini...
Elijona zbulon frikën që e kishte përballë Benitës
Haradinaj e mohon se ka probleme shëndetësore: E kaloj edhe ...