Ide origjinale për ditëlindjen e fëmijës tuaj

12:03 | 28 Dhjetor 2015
M. A.

Në qoftë se doni ta surprizoni dhe ta bëni akoma më të lumtur fëmijën tuaj në ditën e tij, ja ku janë disa ide:
Paintball

Mblidhni miqtë e vogëlushit tuaj dhe dërgojini në paintball, ku do të vishen si ushtarë të vegjël, me rroba, çizme dhe helmeta, do të ndahen në dy kampe dhe do të luftojnë për të ngritur flamurin.

Është si një luftë e vogël, por në vend të plumbave ka ngjyra. Është tepër argëtuese jo vetëm për fëmijët e vegjël, por për të gjitha moshat.

Laboratori i artit

Gjeni një dhomë të përshtatshme, mbuloni muret dhe dyshemenë me tabakë të mëdhenj, mbusheni me penela, furça, bojëra uji apo dhjami etj. dhe lërini fëmijët të lirë të shprehin fantazinë e tyre të shfrenuar. Mund të merrni plastelinë, materiale ndërtimi (të përshtatshme për fëmijë) apo sende të ricikluara që të kenë mundësi edhe të ndërtojnë, shkruan shije.al

Karaoke party

Bëni një listë me këngët më të famshme që fëmijët pëlqejnë. Siguroni versionin karaoke të tyre edhe pajisjet e duhura dhe fëmijët do të kënaqen duke kënduar. Duhet edhe të gjeni një ambient të përshtatshëm edhe për party, që mbasi të këndojnë edhe të kërcejnë.

Master Chef

Një metodë shumë e këndshme për të kënaqur fëmijët është për t’i lënë të eksperimentojnë me ushqimin (sigurisht nën mbikëqyrjen e të rriturve), pasi atyre nuk u vjen kjo mundësi shpesh dhe do t’u duket shumë qejf.

Me tematikë

Zgjidhni tematikën e preferuar të fëmijës suaj, si për shembull: kafshët, përrallat, superheronjtë, piratët etj. dhe arredoni vendin si pas saj. Gjithashtu, lajmëroni të ftuarit të vishen si personazhe sipas temës dhe organizoni skeçe dhe lojëra në lidhje me të./shije.al

Shpërndaje në rrjete sociale