Prishtinë-Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë dekretimit të Ligjit për Zyrtaret Publikë, mirëpo ka rrezuar disa nene të cilat kane qenë në kundërshtim me ligjin.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media të enjten, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës ka vendosur njëzëri që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është në përputhshmëri me dy paragrafin 1 të nenit 3, Barazia para Ligjit, të Kushtetutës së Kosovës.
Për vlerësimin e kushtetutshmërisë së katër neneve të këtij ligji kanë parashtruar kërkesë deputeti i PDK-së, Isak Shabani dhe 10 deputetë të tjerë si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi si dhe nëntë deputetë të tjerë.
Gjykata ka obliguar presidenten e Kosovës për shpalljen e këtij ligjit, pa dispozitat e kontestuar e po ashtu ka rekomanduar që të urdhërohet Kuvendi qe me afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të ndërmerren veprime të nevojshme për plotësim-ndryshimin e këtij ligji të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën.
“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës; (ii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e: (a) paragrafit 6 të nenit 67 (Lista e pritjes); (b) paragrafit 6 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) dhe nenit 6 (Nëpunësja/i civil me status të veçantë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (iii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se parashtruesit e ankesës pretendojnë që procedura e ndjekur në miratimin e këtij ligjit ishte në kundërshtim me ligjet e kushtetutës
Lidhur me pretendimet e ankuesve se ky ligj është miratuar pa u shqyrtuar fare në komision, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se procedura përkitazi me nxjerrjen e këtij ligji, nuk është argumentuar të jetë në kundërshtim me nenin 77 dhe 78 të Kushtetutës.
Ndërsa në kontekst të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për cenimin e parimeve kushtetuese përkitazi me shërbimin civil, ndër tjerash, si rezultat i përcaktimit të mandateve të kufizuara lidhur me pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, aktgjykimi fillimisht sqaron që sipas nenit 46 të Ligjit të kontestuar, kategoria e pozitave të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, do t’i nënshtrohet mandateve të kufizuara, përkatësisht mandatit katër vjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat të njëjtë, nën kushtet e përcaktuara me ligj. Në këtë rast, Gjykata konsideron që ky nen i këtij ligji nuk është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetueses.
“Aktgjykimi thekson që bazuar në Kushtetutë, Kuvendi ushtron pushtetin legjislativ, ndërsa Gjykata Kushtetuese është përgjegjëse për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Marrë parasysh kompetencat përkatëse të përcaktuara me Kushtetutë dhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, kjo e fundit kufizohet vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë së aktit të kontestuar me Kushtetutën dhe për aq sa e njëjta nuk është cenuar, nuk vlerëson edhe përshtatshmërinë e politikave publike të përcaktuara nga pushteti ekzekutiv dhe/ose legjislativ dhe të cilat reflektohen në ligjet e miratuara nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend. Për pasojë dhe duke marrë parasysh që (i) neni 101 i Kushtetutës dhe neni 120 i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, nuk përmbajnë detyrime specifike në kontekst të kategorizimit dhe/ose mandateve të zyrtarëve publikë në administratën shtetërore; dhe (ii) përmes këtij neni afektohen zyrtarët publikë që emërohen/përzgjedhen në pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues pas hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar, Gjykata, konstaton që neni 46 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me dispozitat e lartcekura të Kushtetutës”.
Ndërsa, lidhur me nenin 99 të këtij Ligji, Gjykata kushtetuese konsideron që është në kundërshtim me ligjet në fuqi me arsyen se nuk paraqet një “ekulibër të drejtë” mes qëllimit të deklaruar të interesit publik dhe të drejtave dhe lirive themelore.
“Aktgjykimi, pas aplikimit të parimeve që burojnë nga praktika relevante e GJEDNJ-së, thekson që zgjidhja e përcaktuar përmes nenit 99 të Ligjit të kontestuar, nuk paraqet “ekuilibër të drejtë” mes qëllimit të deklaruar të interesit publik dhe të drejtave dhe lirive themelore, dhe rrjedhimisht nuk është proporcionale, ndër tjerash, sepse (i) qëllimi i njëjtë do të mund të arrihej përmes mekanizmave më pak kufizues/ndërhyrës në të drejtat dhe liritë themelore përmes zbatimit të dispozitave ekzistuese të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë, përfshirë edhe dispozitat e detajuara të Ligjit të kontestuar e që ndërlidhen, ndër tjerash, me vlerësimin e performancës dhe/ose masat disiplinore, përfshirë në rast të mos përmbushjes së detyrave të punës; (ii) kategorisë ekzistuese të zyrtarëve të administratës shtetërore që mbajnë pozita të nivelit të ulët ose të mesëm drejtues, në kundërshtim me të drejtat kushtetuese për mjet juridik efektiv dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave të përcaktuara në nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, respektivisht, u është mohuar në tërësi e drejta në ankesë për sa i përket sistemimit në pozitën përkatëse profesionale, futjes në “Listën e Pritjes” ose lirimit nga shërbimi civil; dhe se (iii) bazuar në parimin e sigurisë juridike, por edhe në përgjigjet e pranuara nga gjykatat kushtetuese dhe/ose ekuivalentet përkatëse anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, rezulton që një reformë e tillë e administratës publike, ose nuk është ndërmarrë, ose nuk e ka kaluar testin e vlerësimit të kushtetutshmërisë, me përjashtim të sqarimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese e Austrisë, lidhur me reformën përkatëse e cila është zbatuar gradualisht dhe pa efekt ndaj zyrtarëve që kishin mandate/kontrata të përhershme, duke u mundësuar të njëjtëve që të zgjedhin vet në mes të sistemit të karrierës ose atij të pozitës, me beneficionet përkatëse nëse vullnetarisht pranojnë kalimin në sistem të pozitës në administratën publike. Për pasojë, Aktgjykimi konstaton që neni 99 i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së”.
Po ashtu, në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e zyrtarëve publikë që vendosen në “Listat e Pritjes” në administratën shtetërore, Gjykata Kushtetuese konstaton se ky nen është në kundërshtim me kriteret e qartësisë dhe parashikueshmerisë.
“Kjo ndër tjerash, sepse Ligji i kontestuar, në kontekst të “Listës së Pritjes”, përcakton vetëm detyrimet e zyrtarëve përkatës duke mos përcaktuar gjithashtu dhe të drejtat, por duke i deleguar të njëjtat në përcaktimin përmes aktit nënligjor të Ministrisë përgjegjëse për administratë publike. Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, neni 67 i Ligjit të kontestuar, ndër tjerash, përcakton që gjatë periudhës deri në nëntë (9) mujore të pritjes para sistemimit në një pozitë profesionale dhe/ose lirimit nga shërbimi civil, nëpunësit përkatës (i) kanë detyrimin të mos kenë marrëdhënie tjetër pune ose në të kundërtën, humbin të drejtat që mund të burojnë nga “Lista e Pritjes”; përderisa (ii) të drejtat e tyre, përfshirë pagën dhe/ose nivelin e saj, nuk janë të garantuara përmes Ligjit të kontestuar, por sipas të njëjtit, do të përcaktohen me akt nënligjor. Aktgjykimi sqaron që raporti i tillë në mes të të drejtave dhe detyrimeve nuk është proporcional, dhe për më tepër, në kundërshtim me kriteret e “qartësisë” dhe “parashikueshmërisë” lidhur me ligjin e aplikueshëm, të ngërthyera në parimin e sigurisë juridike, sipas interpretimit të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të Gjykatës dhe opinioneve relevante të Komisionit të Venecias.
Gjykata ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” si kriter për t’u pranuar në detyrën e zyrtarit publik në administratën publike është i papajtueshëm më garancitë kushtetuese sipas sqarimeve të dhëna në dispozitivin e Aktgjykimit.
“Në kontekst të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës përkitazi me kriterin e “përshtatshmërisë”, mbi bazën e të cilit mund të pranohen në detyrë zyrtarët publikë në administratën shtetërore, dhe i cili sipas pretendimit, cenon parimin e sigurisë juridike dhe ndër tjerash, ka pasojën e ndërhyrjeve politike në politikat e rekrutimit në administratën publike, Aktgjykimi fillimisht sqaron që neni 9 i Ligjit të kontestuar, ndër tjerash, përcakton kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtarëve publikë, duke shtuar gjithashtu kriterin e “përshtatshmërisë” për emërim në pozita specifike të zyrtarëve publikë, saktësimi/definimi i të cilit, sipas nenit përkatës, delegohet në nivel të aktit nënligjor, të miratuar nga Qeveria me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për administratë publike. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së kësaj dispozite, Aktgjykimi shtjellon (i) parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, praktika e Gjykatës dhe Lista Kontrolluese e Sundimit të Ligjit e Komisionit të Venecias, lidhur me parimin e sigurisë juridike, të mishëruar në konceptin e sundimit të ligjit, e të garantuar me nenet 3 dhe 7 të Kushtetutës, respektivisht; dhe (ii) kontributet e gjykatave kushtetuese dhe/ose ekuivalentëve të shteteve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias”
“Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që ndër kriteret e përcaktuara me paragrafin 1 të nenit 9 të Ligjit të kontestuar, janë edhe “aftësia për të kryer detyrën përkatëse” dhe “arsimi, përvoja e punës profesionale dhe/apo aftësia e kërkuar për pozitën, kategorinë, klasën apo grupin përkatës”, duke i lënë autoritetit publik diskrecion të gjerë vlerësimi në pranimin në detyrë të zyrtarit publik. Thënë këtë, këto kritere, përfshirë ato objektive të saktësuara në të njëjtin paragraf, mund të mbizotërohen në tërësinë e tyre, përmes një kriteri të “përshtatshmërisë”, të saktësuar përmes një akti nënligjor, mbi bazën e të cilit diskrecioni i autoritetit publik është në disproporcion me parimin e “qartësisë” dhe “parashikueshmërinë” së nevojshme në kontekst të ligjit të aplikueshëm, përfshirë lidhur me procedurën e aplikimit dhe të së drejtës pasuese për përdorimin e mjetit juridik të kandidatëve, në një administratë shtetërore, e cila sipas Ligjit të kontestuar, ndër tjerash, është përcaktuar të udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë, meritës, transparencës, profesionalizimit, paanësisë partiake dhe mosdiskriminimit. Për pasojë, dhe marrë parasysh parimet e shtjelluara lidhur me sigurinë juridike, përfshirë detyrimin që dispozitat relevante të ligjit të jenë “të qarta, të qasshme dhe të parashikueshme”, Gjykata ka vlerësuar që përcaktimi i kriterit të “përshtatshmërisë” është i papajtueshëm më garancitë kushtetuese sipas sqarimeve të dhëna në dispozitivin e Aktgjykimit”.
Tutje, thuhet se lidhur me të drejtat kushtetuese për mjet juridik dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave të zyrtarëve publikë në administratën shtetërore, aktgjykimi përcakton se nenet 27 dhe 88 të këtij ligji që përcaktojnë të drejtat nëpunësve publik për ankesë në Inspektoratin e Punës, theksohet se një përcaktim i tillë është në kundërshtim me ligjin.
“Aktgjykimi, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, sqaron që e drejta në mjet juridik efektiv ndaj cilido akt të autoritetit publik që mund të ketë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të individit të përcaktuara me ligj dhe/ose Kushtetutë, në parim, nuk mund të kufizohet. Së dyti, Aktgjykimi gjithashtu sqaron që bazuar në nenet 27 dhe 88 të Ligjit të kontestuar, është përcaktuar e drejta e nëpunësit publik për ankesë, përkatësisht mjet juridik, në Inspektoratin e Punës dhe më pas, në gjykatën kompetente. Aktgjykimi thekson që një përcaktim i tillë ligjor është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Punës dhe vet Ligjin për Inspektoratin e Punës, i cili nuk i përcakton të njëjtit kompetencën për të zgjidhur konteste nga marrëdhënia e punës dhe për më tepër, me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të përcaktuar në nenin 4 të Kushtetutës, ndër tjerash, sepse (i) Inspektorati i Punës, bazuar në ligjin për themelimin e tij, është autoritet ekzekutiv që themelohet nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe rrjedhimisht, është pjesë përbërëse e pushtetit ekzekutiv; dhe (ii) në rendin juridik të Republikës së Kosovës, i cili bazohet në vlerat dhe parimet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, është pushteti gjyqësor dhe jo ai ekzekutiv, që ka kompetencën për të vendosur në lidhje me kontestet lidhur me të drejta dhe detyrime, përfshirë ato që burojnë nga marrëdhënia e punës”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.
Ndryshe, në muajin nëntor 2022, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Zyrtarët Publik, i cili Projektligj ishte miratuar në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
Osmani në samitin BE-Ballkan: S’e paskam vërejtur mungesën e...
Ministri i jashtëm grek pritet të vizitojë Kosovën
Burri gjerman vret babanë dhe mban peng partneren
BE-ja lëshon 181 milionë eurot e programeve IPA për Kosovën
Kryeministri çek: BE-ja fillimisht ta fusë Ballkanin në Sche...
Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti bashk...