Reporterët pa Kufij reagojnë për zhvillimet në RTK

15:15 | 4 Prill 2015
M. A.

Organizata botërore e gazetarëve, Reporterët pa Kufij, ka reaguar ndaj vendimit të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, për largimin nga puna të dy kryesindikalistëve të këtij mediumi, Fadil Hoxhës dhe Arsim Halilit.

Sipas kësaj organizate, qëllimi i këtij vendimi është heshtja e kritikave ndaj menaxhmentit të RTK-së.

“Ne fuqimisht frikësohemi se qëllimi i vetëm i këtyre dy largimeve është për të heshtur kritikat e menaxhimit të RTK-së dhe, në veçanti, kritikën për censurën në transmetuesin publik”, Ka thënë drejtori programor i Reporterëve pa Kufij, Lucie Morijon.

“Ne i kërkojmë bordit të drejtorëve të RTK-së që t’i shfuqizojë këto shkarkime. Halili dhe Hoxha tërhoqën vëmendjen për censurë dhe praktika të tjera që meritojnë një hetim të plotë, që do të mund të vie në pikëpyetje të drejtën që Mentor Shala të vazhdojë në pozicionin e tij aktual. Në këtë dritë, arsyet që ai dha për shkarkimet duken të fabrikuara”, ka deklaruar ai .

Duke mbrojtur shkarkimet, Shala pohoi se Hoxha përbën “një rrezik potencial për t`i shkaktuar dëme serioze RTK” dhe kishte “shkelur në mënyrë të përsëritur rregullat e përgjegjësisë materiale dhe disiplinore, duke mos përmbushur detyrat e përcaktuara në kontratën e tij të punës.”

Ai gjithashtu akuzoi Hoxhën së përmes deklaratave të pautorizuara publike është “përpjekur për të krijuar një përshtypje negative” të RTK-së dhe “dëmtuar imazhin e RTK-së, i cili përbën një shkelje të rëndë disiplinore”.

Shala akuzoi Halilin për “sulme publike përmes deklaratave të paautorizuara (…) që paraqesin të pavërteta dhe duke shkaktuar dëm në imazhin e RTK-së (…) që shkelin rregullat për përgjegjësitë materiale dhe disiplinore dhe duke injoruar kërkesat me shkrim nga eprori i tij i menjëhershëm.”

Duke këmbëngulur se dy punëtorët në të vërtetë janë përpjekur që të përmirësojnë imazhin e dëmtuar të RTK-s, sindikata ka organizuar deri tani disa protesta për të kërkuar rikthimin e tyre në punë, thuhet në reagim.

Reporterët pa Kufij kanë përmendur se shkarkimet e tyre janë bërë ditën kur Kuvendi i Kosovës kishte filluar debatin për situatën në RTK dhe problemet e menaxhimit të ngritura nga sindikata, e cila kishte kërkuar nga parlamentarët që të këmbëngulin në ndryshimin e menaxhimit.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa rekomandime, duke përfshirë edhe një kërkesë drejtuar bordit të drejtorëve për të “shqyrtuar” shkarkimin e Halilit dhe të Hoxhës.

Kosova renditet e 87 nga 180 vende, në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij për vitin 2015./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale