Gjuriq: Kosova pa serbë s’do të jetë Kosovë

12:44 | 26 Dhjetor 2015
M. A.

Prishtina dhe Beogradi gjatë viti 2015 prodhuan shumë letra në bisedimet e ndërsjella, por tepër pak normalizim të marrëdhënieve dhe tepër pak afrim dhe pajtim të njëmendtë, vlerëson drejtori i Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq.

Në intervistën për KosovaPress-in, Gjuriq bën rekapitullimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë gjatë vitit 2015, flet për zhvillimet rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës dhe pritjet për vitin 2016.

 

“Viti 2015 ishte i vështirë për të gjithë, prandaj duhet të përpiqemi që viti 2016 të jetë pakrahasueshëm më i mirë”, tha Gjuriq.

Këtë vit, thotë ai, e shënuan probleme të mëdha socio-ekonomike, të cilat i goditën edhe serbët edhe shqiptarët.

 

Shkalla e lartë e papunësisë dhe perspektiva e keqe ekonomike është diçka të cilën, do të thosha, të gjithë së bashku nuk a rritëm në masë të mjaftueshme ta zgjidhim në vitin 2015, për ç’arsye edhe në vitin që shkoi pamë lumenj të njerëzve të rinj se si e braktisin Kosovën, se si i braktisin edhe mjediset serbe këtu, njëjtë si ato shqiptare dhe së këndejmi mendoj se ekziston një nevojë evidente që të gjithë së bashku të punojmë për tejkalimin e problemeve, tha Gjuriq.

Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën shpreson për një vetëdijesim më të lartë të të dy palëve, se serbët dhe shqiptarët në të ardhshmen do ta shohin njëri-tjetrin jo vetëm si pjesë të problemit, por edhe si pjesë të zgjidhjes së problemit.

Gjuriq: Shpresoj ta shohim njëri-tjetrin si pjesë të zgjidhjes së problemit

“Kur të nisim që njëri-tjetrin ta shohim si pjesë të zgjidhjes për problemet tona, mendoj se në vitin 2016 do ta kemi pakrahasueshëm më lehtë, dhe kjo është ajo që e dëshiroj edhe për serbët edhe për shqipta rët në vitin e ardhshëm. Pra, të jemi në atë kuptim shumë më të urtë, secili i prirë nga dashuria për popullin e vet dhe nga respekti njëri për tjetrin”, thotë Gjuriq.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjuriq vlerëson se kjo çështje për elitat politike të shqiptarëve të Kosovës, fatkeqësisht, është bërë çështje e konflikteve të brendshme politike. Aq më shumë, sipas tij, Asociacioni fare s’ka të bëjë me statusin e Kosovës.

 

“Në vend që të bëhet instrument i afrimit me pjesëtarët e popullit serb, apo komunitetit serb në Kosovë, ne vend që kjo të bëhet instrument i ndërtimit të urave, falë lojërave politike, kjo është bërë lëndë e konflikteve, edhe atë jo vetëm ndërmjet shqipt arëve dhe serbëve, por, do të thosha, edhe i konflikteve të brendshme politike, edhe në mesin e shqiptarëve, edhe në mesin e serbëve. Prandaj, mendoj se është e domosdoshme që t’i hyhet zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, e që në asnjë mënyrë nuk mund t’i rrezikojnë pozicionet as të njërës as të palës tjetër sa i përket statusit. Pra, e dimë se ç’mendon Prishtina, e dimë ç’mendon Beogradi, porse çështja e Asociacionit fare s’merret me këto pyetje”, thotë Gjuriq.

Sipas tij, Asociacioni merret vetëm me krijimin e parakushteve institucionale për mbijetesën e serbëve në Kosovë

 

“Mendoj se Kosova pa serbët as që do të ishte Kosovë”, tha Gjuriq.

Në pyetjen se si pret që të zhvillohet situata rreth formimit të Asociacionit, Gjuriq përgjigjet se marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet patjetër të zbatohen.

 

I pyetur se çfarë janë marrëdhëniet e institucionit që ai drejton me Qeverinë e Kosovës, përveç me ministrat serbë në të, drejtori i Zyrës serbe për Kosovën thotë se Qeveria e Kosovës është partner me të cilin bisedojnë dhe bashkëpunojnë.

Të dy palët, shton ai, punojnë në zbatimin e marrëveshjeve, në shumë çështje që janë me rëndësi, jo vetëm për komunitetin serb në Kosovë, por për raportet e gjithmbarshme mes Beogradit dhe Prishtinës.

 

“Ekzistojnë dallime të qarta mes nesh dhe pika mospajtimi, që para së gjithash kanë të bëjnë me statusin. Por, shpresoj se në të ardhmen, edhe për shkak të shqiptarëve, edhe për shkak të serbëve, edhe të atyre që janë nën kompetenca të Prishtinës, edhe të atyre që jetojnë nën kompetencat e Beogradit, se do të punojmë shumë më mirë dhe do të kemi rezultate shumë më të mira në vitin 2016”, tha Gjuriq.

Përndryshe, shtoi ai, “qytetarët këtë nuk do të na e falin dhe do të jenë të hidhëruar edhe me njërët edhe me tjerët”.

Shpërndaje në rrjete sociale