Nurboja priti në takim Bossu, flasin për bashkëpunim mes BQK-së dhe FMN-së

13:36 | 15 Qershor 2023
Diellza Gashi

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja së bashku me zëvendësguvernatorin për mbikëqyrje financiare, Nexhat Kryeziu, kanë pritur Misionin e FMN-së që po qëndron në Kosovë dhe që po udhëhiqet nga Wouter Bossu, shef i Misionit të FMN-së për vlerësimin e masave mbrojtëse.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në sektorin financiar dhe bashkëpunimin mes BQK-së dhe FMN-së për projekte të ndryshme.

Nurboja ka falënderuar FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme për BQK-në dhe për Kosovën në përgjithësi.

“Meqenëse, procesi i vlerësimit të masave mbrojtëse të BQK-së nga FMN-ja është mjaft i rëndësishëm për institucionin tonë, BQK-ja në vazhdimësi i ka trajtuar dhe do t’i trajtojë me prioritet të lartë të gjitha rekomandimet e dala nga Vlerësimi i Masave Mbrojtëse”, ka thënë Nurboja.

Vizita e Misionit të FMN-së vjen pas aprovimit të kërkesës së Kosovës për programet (SBA-Stand-By Arrangement dhe RSF-Resilience and Sustainability Facility) nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në muajin maj të këtij viti./Arbresh.info/