Sveçla për Ditën e Çlirimit: Sovranitetin po e përmbushim me vendosjen e ligjit në veri

14:48 | 12 Qershor 2023
Emir Abduramani

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Dita e Çlirimit të Kosovës na ben të ndalemi dhe të reflektojmë për sakrificat e dëshmorëve për lirinë e vendit.

“24 vite më parë, Kosova u çlirua nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Serbia kapitulloi e bashkë me të dhe objektivi i tyre për spastrim etnik të shqiptarëve. Çlirimi i Kosovës i dha fund vuajtjeve të popullit tonë. Kjo ditë na bën të ndalemi e të reflektojmë mbi veprat e dëshmorëve tanë dhe sakrificës së tyre për liri”, ka shkruar Sveçla.

Tutje, ai tha se ideali i dëshmorëve është themeli i shtetit të Kosovës.

Ai s’la pa e përmendur veriun dhe “vendosjen e rendit dhe ligjit” atje, për të cilin tha se po e përmbush sovranitetin e shtetit.

“Të udhëhequr nga ideali i tyre, ne vazhdojmë të punojmë në forcimin e institucioneve tona dhe zhvillimin e Kosovës. Sepse ata janë themeli i shtetit tonë. Çlirimi i vendit na hapi rrugën drejt sovranitetit të shtetit tonë, të cilin po e përmbushim dhe me rendin e ligjin që po vendoset në veriun e vendit”, ka shkruar ai.

Tutje, ai u shpreh mirënjohës për NATO-n dhe vendet aleate të Kosovës për kontributine  tyre për çlirim./Arbresh.info