Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në mëngjesin e sotëm nënshkroi Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese, akt ky ligjor i cili ua përcakton komunave në mbarë territorin e Rep. së Kosovës, kushtet se si duhet t’i trajtojnë kafshët shoqëruese.
Peci me këtë rast tha se synimi ynë është krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijët dhe qytetarët tanë në rrugë dhe njëkohësisht edhe përkujdes të duhur për mirëqenien e kafshëve endacake në përputhje më praktikat më të mira ndërkombëtare.
“UA për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese mes tjerash rregullon edhe këto fushëveprime: Krijimin e një programi për kontrollin e qenve endacak, organizimin e strehimores së kafshëve që do të mbështesë zbatimin e planeve lokale të kontrollit të popullatës së qenve dhe maceve, sigurimin e një lokacioni të sigurtë për deponimin e trupave të kafshëve të ngordhura nga Komunat në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Përmes këtij Udhëzimi Administrativ, përcaktohen në detaje veprimet dhe sjelljet ndaj qenve endacak që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazës post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit”, theksoi Peci.
Përmes një komunikate për media nga MBPZhR, bëhet e ditur se ky udhëzim përcakton qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet; ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës.
Këto strehimore, do të jenë të hapura për qytetarë të cilët do të kenë mundësi që t’i vizitojnë e njëherit edhe të adoptojnë qen apo mace.
Po ashtu, në funksion të këtyre strehimoreve, udhëzimi parasheh edhe kujdestarinë, ku qytetarët mund të kenë qasje në çdo kohë e orë për të raportuar çdo eventualitet./Arbresh.info/
Malisheva blindon pozitën e tretë pas fitores me Gjilanin
Llapi “fundos” Prishtinën e Re në përballjen dir...
Drita fiton derbin me Prishtinën dhe marshon drejt titullit ...
Arrestohet një person në Gjakovë për veprën penale ‘’Vjedhje...
Jashari favorit para Riccit për ta zëvendësuar Luka Modricin...
Prokuroria Themelore në Ferizaj kërkon paraburgim ndaj pesë ...