Spanja refuzoi kërkesën e karateistëve kosovarë, KOK: Është shqetësuese për vendet që e përziejnë sportin me politikën

11:03 | 22 Mars 2023
K.B

Shteti i Spanjës refuzoi kërkesën e sportistëve kosovarë të paraqiten me simbole shtetërore në Kampionatin Europian të Karatesë.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar sot gjatë ditës në lidhje me këtë temë duke e quajtur këtë shqetësim të madh dhe diskriminues për ato shtete që përziejnë sportin me polikën.

“Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh është duke përjetuar diskriminimet e sportistëve tanë nga shtetet, të cilat ende e përziejnë sportin me politikën.

Së fundi, dhe jo për herë të parë, Spanja sërish bëhet faktor, duke rikthyer “regjimin” e vjetër për sportistët tanë, pavarësisht se disa vjet më parë ishte treguar korrekte në këtë drejtim dhe pikërisht me sportistët e njëjtë.

Për shkak të mos njohjes së shtetit tonë, kombëtarja jonë e karatesë nuk është duke u lejuar të garojë e barabartë me garuesit tjerë në Kampionatin Evropian, që sot pritet të nis në Guadalajara të Spanjës. Atyre iu është kumtuar lajmi nga organizatori se institucionet vendase nuk e kanë lejuar organizatorin që të shfaq simbolet tona shtetërore.”, shkruhet në reagimin e KOK-ut.

KOK-u është në bisedime me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në lidhje me këtë temë dhe pret reagim të shpejt edhe pse sot fillon ky trune në Spanjë.

Shpërndaje në rrjete sociale