Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kanë pritur të dielën e 12 marsit në Prishtinë ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Dendias.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, këtë intensifikim të takimeve e sheh si një zhvillim të rëndësishëm për vendin, duke theksuar hapjen e zyrës së Kosovës në Athinë, e cila edhe shënon praninë e parë diplomatike të Kosovës në një nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian (BE).
Kjo Zyrë Ndërlidhëse është hapur në vitin 2018, në kohën kur Pacolli ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.
“Shkëmbimet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si me çdo vend tjetër janë një zhvillim i rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës. Kemi pasur një shkëmbim të tillë gjithmonë me Greqinë dhe Athina ka mbajtur një qasje konstruktive ndaj Kosovës, shpesh kur takoja ministrin e Jashtëm grek do të thoshim se kemi marrëdhënie të shkëlqyera por pa njohje. Kur isha ministër i Punëve të Jashtme me homologun tim grek, ne ramë dakord që të hapim Zyrën e Kosovës në Athinë, prania e parë e tillë diplomatike në një nga vendet që nuk e njohin Kosovën brenda BE-së”, tha Pacolli për “Arbresh.info”.
Pacolli, gjithashtu ka thënë se marrëveshja e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë është faktori kryesor që ndikon në fitimin e kësaj njohje, por kërkoi angazhim më të madh të diplomacisë së vendit në mënyrë që të fitohet edhe njohja nga vendet tjera.
“Greqia u konsiderua dhe mendoj se sot llogaritet si një nga vendet që mund ta njohë lehtësisht Kosovën nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë kontekst e konsideroj vizitën e ministrit të Jashtëm grek. Por unë do të doja të shihja më shumë angazhim edhe me vendet e tjera, sepse Kosova ka nevojë për një strategji diplomatike se si t’u komunikojë vendeve që nuk e njohin Kosovën marrëveshjen e mundshme me Serbinë”, deklaroi Pacolli për arbresh.info.
Ai theksoi se Kosova dhe Greqia i kanë forcuar marrëdhëniet mes palëve në kohët e fundit, por vuri në pah nevojën që këto marrëdhënie të mos mbesin vetëm në fushën e tregtisë, por të kalojnë edhe në raporte të plota diplomatike.
“Kosova dhe Greqia kanë zgjeruar marrëdhëniet e tyre në shumë fusha dhe vitet e fundit kemi parë një rritje të shkëmbimit tregtar duke e bërë Greqinë një partner kryesor tregtar për Kosovën. Kjo duhet të vazhdojë dhe me qasjen e duhur marrëdhëniet mund të avancohen në marrëdhënie të plota diplomatike”, përfundoi Pacolli për “Arbresh.info”.
lexo edhe:
Numri i viktimave nga protestat në Iran mund ta kalojë shifr...
20-vjeçari rumun humb jetën në burgun e Shkodrës, dyshohet p...
Grenlanda goditet nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe ...
Rama me letër të hapur për Kurtin
Pas testimit të “Skifteri K1”, Future Minds Academy prezanto...
Ndëshkohen tri lokale në Shtime për prishje të rendit dhe qe...