Azerbajxhani anulon bisedimet me Armeninë, kundërshton përfshirjen e Francës

18:02 | 25 Nëntor 2022
E.H

Presidenti Ilham Aliyev tha të premten se Azerbajxhani nuk dëshiron që Franca të marrë pjesë në bisedimet paqes që ky vend do të zhvillojë me Armeninë duke anuluar një takim katërpalësh që pritej të mbahej në Bruksel më 7 dhjetor me pjesëmarrjen e presidentin francez Emmanuel Macron dhe kreun e Këshillit Evropian Charles Michel.

Aliyev tha se Macron kishte “sulmuar” e “fyer” Bakunë ndaj nuk duhet të veprojë si ndërmjetës.

Luftimet u ndezën në shtator mes dy vendeve ish-sovjetike të përfshirë prej dekadash në mosmarrëveshje mbi enklavën e Nagorno-Karabakut, njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që kontrollohet kryesisht nga armenët etnikë, me mbështetje nga Jerevani.

Secila palë akuzon tjetrën si shkaktare të përplasjeve të fundit. Armenia akuzoi Azerbajxhanin se kishte pushtuar vendbanimet brenda kufijve të saj.

Në fund të shtatorit u ra dakord për një armëpushim dhe muajin e kaluar në Pragë, dy vendet ranë dakord gjithashtu të lejonin vendosjen e një misioni civil të BE-së në kufirin mes tyre.

Por të premten, Aliyev akuzoi kryeministrin armen Nikol Pashinyan për përpjekje për të penguar fazën tjetër të bisedimeve, duke këmbëngulur që Franca të shërbejë si ndërmjetës në bisedime.

“Macron sulmoi Azerbajxhanin dhe na akuzoi për atë që nuk kemi bërë”, tha Aliyev, në një konferencë që u mbaj në Baku me praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Ai tha se udhëheqësi francez kishte mbajtur një “pozicion anti-Azerbajxhanit” dhe se kishte “fyer” Bakunë.

“Është e qartë se në këto rrethana, me këtë qëndrim, Franca nuk mund të jetë pjesë e procesit të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Armenisë tha se dëshironte të ruante “formatin e Pragës” të diskutimeve, i cili përfshin Macron dhe Michel.

Agjencia e lajmeve Interfax citoi një zëdhënës të ketë thënë se deklarata e Azerbajxhanit se Armenia po përpiqej të prishte bisedimet e paqes “nuk kishte asnjë lidhje me realitetin”.

Macron ka akuzuar Rusinë për nxitje të tensioneve mes Bakusë dhe Jerevanit dhe ka pohuar gjithashtu mbështetjen e tij për sovranitetin e Armenisë gjatë bisedave telefonike me Pashinyan./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale