Ish-diplomati kroat: S’ka BE për Serbinë nëse s’e njeh Kosovën

12:42 | 7 Shtator 2022
K.B

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Miro Kovaq, tha se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Në një bisedë në televizionin serb N1, Kovaq tha se pa njohjen e Kosovës, Serbia nuk do të mundë të anëtarësohet në BE.

“Është logjike që çështja e Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet, të njohin njëri-tjetrin dhe të mund të shkojnë drejt funksionimit normal”.

“Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE dhe nëse Kosova do, Serbia nuk do të mundë ta arrijë atë qëllim nëse nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur. Nëse Serbia dëshiron bashkëjetesë normale në fqinjësi, atëherë disa gjëra duhet të rregullohen siç janë në BE. Nëse në Bosnjë e Hercegovinë edhe boshnjakët, edhe serbët duan të anëtarësohen në BE, mënyra e të menduarit do të duhet të ndryshojë”, theksoi ish-ambasadori kroat në Gjermani, Miro Kovaq.

Të njëjtën gjë gjatë ditës së sotme e tha edhe Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë.

Ai tha me bindje se në fund, Serbia do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Serbia do ta njohë përfundimisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe një nga elementet kyçe të kësaj përpjekjeje, do të jetë integrimi i saj në Bashkimin Evropian. Megjithatë, mbetet të shihet se si dhe kur do të arrihet ky synim. Unë besoj se njohja formale duhet të jetë parakusht. Kjo është leva që ka Bashkimi Evropian në marrëdhëniet me Serbinë: anëtarësimi i plotë në këmbim të njohjes së Kosovës”, deklaroi ai për REL-in.

Shpërndaje në rrjete sociale