Shpresa Bakija s’e ka ndërmend të ndalet e as t’iu bindet vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili, përmes Komisionit Disiplinor, e suspendoi atë nga pozita e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Ajo nga ky institucion i drejtësisë ka marrë pagën e njëjtë edhe në fund të muajit nëntor, pa marrë parasysh se nuk e ka ushtruar asnjë ditë të funksionit të saj. Këtë e dëshmon edhe dokumenti i listës së pagave, të cilën e ka siguruar Gazeta Express për dy muajt e kaluar, tetor dhe nëntor 2015.
Bakija nga buxheti i shtetit ka përfituar edhe gjatë nëntorit 1 mijë e 555 euro pagë, përkundër se në rregulloren e punës së Komisionit Disiplinor, vendimet e këtij organi të KPK’së për suspendim, automatikisht pasohen me përjashtim nga paga në rastet kur prokurori ka aktakuzë, apo është i paraburgosur.
“Komisioni automatikisht e suspendon prokurorin pa pagesë, nëse është paraburgosur apo ngritur aktakuzë”, thuhet në piken nëntë të nenit 25 për Veprimet e Komisionit në rastet urgjente.
Madje, në listën e pagave të siguruar nga Gazeta Express, kryeprokurores së suspenduar i llogariten edhe 40 orë punë të kryer gjatë muajit nëntor.
Kryeprokurorja e Gjakovës, Shpresa Bakija në fund të tetorit u suspendua nga Komisioni Disiplinor i KPK’së pas më shumë se katër muaj që të njëjtës iu ngrit aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare dhe ka zbuluar fshehtësi zyrtare.
Gazeta Express të mërkurën ka kërkuar sqarime nga Këshilli Prokurorial për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara me email.
Shpresa Bakija, përkundër se ishte suspenduar kishte vazhduar edhe për disa ditë tjera të dalë në punë.
E sikur të mos mjaftonte me kaq, Bakija vazhdonte ta përdorte edhe veturën zyrtare të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, edhe pas suspendimit. Madje atë e mbante të parkuar para shtëpisë së saj.
Vetë Bakija ishte përgjigjur në thirrjen telefonike që Gazeta Express kishte bërë në Prokurorinë e Gjakovës, një javë pas vendimit të Këshillit Disiplinor, duke e ndërprerë linjën sapo kishte kuptuar arsyet e kontaktimit nga gazeta.
Nga ana tjetër, Procesi gjyqësor ndaj saj ka nisur javën e kaluar në Gjykatën Themelore të Gjilanit, edhe pse fillimisht kjo gjykatë kishte refuzuar ta trajtonte lenden e Bakijës, duke e arsyetuar se vendi ku dyshohet sa ka kryer veprat penale ka qenë Gjakova, dhe është jashtë kompetencës së tyre.
Kryeprokurorja Bakija, në aktakuzën ndaj saj, të ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, dyshohet për tri shkelje penale: Zbulimi i Fshehtësisë Zyrtare, Shpërdorimi i Pozitës Zyrtare ose i Autorizimit dhe Cenimi i Fshehtësisë së Korrespondencës dhe Bazës së të Dhënave Kompjuterike.



