Kurti: KEK-u është shitur “më lirë se badihava”

13:58 | 24 Janar 2022
F.T

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme në lidhje me ngritjen e cmimeve të energjisë, ka përmendur dy probleme, që sipas tij janë kryesoret të dekadës së fundit.

I pari, sipas Kurtit, është ai i 17 tetorit të vitit 2012, ku është marrë vendimi për shitje të aksioneve të KEK-ut, dhe se sipas tij Kosova nuk do të ndodhej në këtë situatë sikur të mos kishte monopol privat në këtë fushë.

Fjala e tij në Kuvend:

Shitja e lirë e KEDS-it dhe heqja e bllok tarifës janë dy probleme të mëdha që i kemi trashëguar.
Heqja e bllok tarifës është bërë me kërkesë të KEDS-it për të përfituar 21% e konsumatorëve të pasur në kurriz të 79% të konsumatorëve të varfër që shpenzojnë më pak se 600 kwh.

KEK-u përgjatë këtij viti edhe pse e ka furnizuar KEDS/KESCO me çmim shumë të ulët megjithatë falë eksportit dhe suficitit ka siguruar afërsisht 60 milionë euro të hyra shtesë. Paramendojeni si do të dukej kjo shumë sikur të kishte operuar me gjithë kapacitetin e kjo do të kishte ndodhur sikurse ato 1 miliardë euro investime të ishin të ishin përdorur jo për zhvatje por për përmirësim të blloqeve, ose sikur Kosova të kishte investuar në kapacitete të reja, apo sikur të mos kishim pasur tarifa që nxisin konsumin e energjisë mbi mesataren evropiane, apo sikur KEDS-i të kishte qenë në pronësi të KEK-ut, – për asnjërin prej këtyre shkaqeve gishti nuk mund t’i drejtohet qeverisë së tanishme.

Në një treg të rregulluar janë vetëm 3 opsione: 1) reduktimi përmes ç’kyqjeve në rrjet, 2) mbulimi nga shteti përmes subvencioneve, 3) rritja e tarifave. Zgjidhje tjetër nuk ka. Kur themi mbulimi nga buxheti duhet të potencohet që shteti nuk mbulon fitimet e korporatave por paguan konsumin e qytetarëve sepse as nuk po mbulohen fitimet e as investimet por thjeshtë faturat për furnizimin e energjisë që tashmë është konsumuar e po konsumohet.

Te bllok tarifat duhet të shihet se si të shpërndahet barra ndërmjet konsumatorëve të vegjël e të mëdhenj, mes atyre me të ardhura më të ulëta e më të larta, mes amvisërive dhe bizneseve, mes të tashmes dhe të ardhmes, dhe kjo detyrë i është besuar jo qeverisë por rregullatorit, e për këtë është insistuar që Rregullatori të jetë i pavarur, tash në çfarë mase për këtë vendim duhet të drejtohet gishti në drejtim të qeverisë së tanishme?

Sikur tregu të mos ishte i rregulluar vetë operatori do t’i kishte shumëfishuar çmimet që nga muaji gusht e shtator e pastaj do të kishte qenë në duar të konsumatorëve të vendosin se a duan apo jo import. Të thuhet se ne kemi votuar për këtë qeveri duam të konsumojmë energji me çmim astronomik, nuk duam të kemi reduktime, nuk duam të paguajmë, dhe që duhet që Kurti të gjejë zgjidhje është njësojë si të kërkohet nga unë që ta mbajë ditë gjatë 24 orëve e të mos lejoj që të bie nata.

2 problemet kryesore të dekadës së fundit.

1) 17 Shtator, 2012, vendim për shitje të aksioneve të kompanisë së shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike. Nuk do të ndodheshim në këtë situatë sikurse të mos e kishim një monopol privat në këtë fushë. Shitja prej 26.3 milionë euro është shitje për të cilën populli ynë e ka një fjalë të urtë: më lirë se badihava.

3) 31 mars, 2017: Ndryshimi i strukturës tarifore, heqja e bllok tarifës. Konsumatorët me konsum më të ulët subvencionojnë konsumatorët me konsum më të lartë. Rrezikim i sigurisë së furnizimit, rritje e kostos së shërbimit.
Pra, këto dy, janë probleme kapitale që i kemi trashëguar ne sot. Unë ju falënderoj për idetë e reja që po mi jepni se si të dal nga kriza por këto ide të reja janë në programin e subjektit që e drejtoj nga viti 2013. Mirëpo, që atëherë kanë ndodhur këto dy probleme shumë të mëdha: është hequr bllok tarifa dhe paraprakisht është privatizuar shpërndarja dhe furnizimi. Pra, edhe riparimi i termocentraleve ekzistuese, edhe ndërtimi i dy blloqeve të reja është propozuar nga ne në vitin 2013. Ne mund të kthehemi në vitin 2013 por nga viti 2013 ka pasur dëme të cilat ne po detyrohemi të merremi dhe kjo nuk është aspak e thjeshtë.

Të gjitha palët e tjera të sektorit, si KEK-u dhe KOST-i, dhe shoqëria civile, nuk u patën pajtuar të ndryshohet struktura tarifore apo të largohet bllok tarifa asokohe në vitin 2017. Sepse saktësisht këto e tregojnë ndikimin tek të varfrit dhe ndikimin në rritjen e çmimit për të gjithë të cilën po e përjetojmë edhe më keq në kushtet e jashtëzakonshme që jemi. Me rastin e heqjes së bllok tarifës kanë përfituar vetëm 21% të konsumatorëve më të pasur, që kanë shpenzuar më shumë energji elektrike në kurriz të 79% të atyre që janë më të varfër e që kanë konsumuar nën 600 Kwh në muaj. Vetëm KEDS-i ka kërkuar që të ndryshohet struktura tarifore. Në vitin 2017 pikërisht KEDS-i ka kërkuar që të ndryshohet struktura tarifore, respektivisht të largohet bllok tarifa dhe këtë e ka arritur si qëllim në vitin 2017, pra në mars kur ZRrE-ja ka ndryshuar strukturën tarifore dhe ka larguar bllok tarifën dhe tarifën sezonale. /arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale