Trajneri Driton Kuka ka zbuluar se Majlinda Kelmendi, në vitet 2012 dhe 2013, ka refuzuar tre milionë euro për të ndërruar shtetësinë që të garojë për një shtet tjetër.
Shteti që e deshi Majlindën ta bëjë të sajën është Kazakistani. Këtë synim Kazakistani tentoi ta realizojë duke e paguar sportisten 3 milionë euro.
“3 milionë euro kanë pasë me dalë në xhirollogari nëse kjo e kish ndërru shtetin. Unë nuk i kam tregu kësaj hiç, ajo e ka marrë vesh pas Lojërave Olimpike, por nuk e ka ditur shumën”, u shpreh Kuka në T7.
Por, pa u menduar dy herë, Kuka refuzoi atë ofertë, bashkë me Majlindën, por kjo e fundit zbuloi se për një kohë të gjatë s’e kishte ditur shumën. Këtë Majlinda Kelmendi e kishte marrë vesh nga shoqëria.
“Qysh moj i refuzove tre milionë euro?’ Isha tu pi kafe dhe m’u derdh, ‘thashë sa!!!?’”, u shpreh Majlinda.
Ajo, me shumë krenari, thotë se kurrë nuk është pishman që refuzoi milionat për të garuar për vendin e saj, që e ka bërë krenar me medalje të shumta të arta.
“Kurrë s’jam kanë pishman për atë ofertë dhe s’besoj se do të bëhem ndonjëherë në jetë. E kam ditë që Kazakistani e ka bërë këtë ofertë”.
Ajo tregoi se edhe një tjetër shtet është munduar ta marrë.
“Më vështirë e kam pasur kur kam pasur ofertë nga Azerbajxhani, sepse ekonomikisht kemi qenë shumë keq familjarisht. Mami më ka bërë presion që ta pranojë atë ofertë, më shumë që të mos zhdukem si sportiste, sepse s’kisha të ardhura. Ditë pas dite, menduam dhe vendosëm që do të mbesim në Kosovë, pavarësisht ofertave. Unë e di që tre milionë euro s’do t’i marr kurrë këtu, por s’jam pishman aspak për mënyrën se si më respektojnë njerëzit, sepse kjo nuk blihet”.
Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja Vjosa Osmani mbrëmë organizoi një ceremoni shtetërore, ku e dekoroi Majlinda Kelmendin me urdhrin “Shotë Galica”.
Tifozët e Lille shpalosën një pankartë të turpshme kushtuar ...
Trump urdhëron publikimin e të gjitha dokumenteve për UFO-t ...
Kryetari i New York-ut: Ramazani është muaji im i preferuar
Takimi i Bordit të Paqes në Washington, Rama ndan momentet d...
Shënohet 37-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës
Sot mbahet seanca për buxhetin 2026