Ministrja e Shëndetësisë dhe deputetet diskutuan për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit

16:11 | 20 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku ka pritur sot në takim Grupin e Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetet: Tinka Kurti dhe Albana Bytyqi; Kryetaren e Komisionit për Shëndetësi,Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjiri “Jeta Vita”, Nafije Latifi.

Gjatë takimit janë këmbyer informacione me aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të Muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, rritjen e kapaciteteve për t’u mundësuar grave që në mënyrë permanente të kryejnë vizita diagnostike me ultratingull dhe mamograf, si dhe aktivitetet që për qëllim kanë informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Në takim u vlerësua se në këtë betejë të vështirë, por jo të pamundur, bashkëpunimi dhe ndërveprimi multidimensional mbeten arma e përbashkët të cilën duhet shfrytëzuar në përkrahjen e grave në parandalimin dhe trajtimin me kohë të kancerit të gjirit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale