KDI me rekomandime për të gjeturat e Raportit të Progresit

13:38 | 12 Nëntor 2015
M. A.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dhënë pikëpamjet e veta duke iu referuar të gjeturave në Raportin e Progresit që u publikua më 10 nëntor. Çalimi me luftën kundër korrupsionit,  roli i Kuvendit dhe mbikëqyrja e Kuvendit tek sistemet e tjera, si dhe sistemi i zgjedhjeve në Kosovë ishin tri sferat kryesore që adresoi KDI.

Si përfaqësues i programit  të antikorrupsonit, Visar Sylaj  beson që Komisioni Evropian vlerëson që ne jemi fatkeqësisht në fazën fillestare të përpjekjeve për luftën kundër korrupsionit.

“Këtë problematik e kemi ndarë në tri faktor kryesor duke filluar nga sistemi i drejtësisë që kemi një sistem që është jo imun ndaj ndikimit politik nga jashtë dhe këtë ndikim në përzgjedhjen e anëtarëve kryesisht të këshillit të gjyqësisë. Sistemi i drejtësisë është problem i mungesave të kapaciteteve  dhe të integritetit në përgjithësi për shkak të financave me një buxhet 28 milionë , gjë që shkakton administrimin e ngadaltë të lëndëve të korrupsionit”, tha fillimisht Sylaj, në një konferencë për media, duke ofruar edhe rekomandimet si pjesë e KDI-së, transmeton arbresh.info.

“Ne si KDI i kemi disa rekomandime që duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që lufta për korrupsion të jetë ma efektive. Së pari është me rëndësi të bëhet ndryshimi i kushtetues me të cilin ne i japim më shumë fuqi gjyqtarëve dhe gjykatave për përzgjedhjen e këshillimit gjyqësor derisa aktualisht është duke ndodhur e kundërta pasi kuvendi ka ndikim të drejtpërdrejt dhe kjo nuk duhet të ndodhë më”, tha  Sylaj.

Ndërsa Jetmir Bakija menaxher i projektit në KDI tha se “KPK dhe KGJK, që merren me administrimin e prokurorisë të gjykatave me reforma të reja ligjore, tani kanë një kapacitet më të lartë që i mundëson përpilimin e buxhetit pa pasur nevojë për aprovim nga ana e ministrisë. Me këtë mund të rriten më lehtë kapacitetet në sistemin e prokurorisë dhe gjyqësisë në përgjithësi që do sjellë një administrim më të shpejtë”.

Bakija deklaron gjithashtu që bashkëpunimi në mes institucioneve që luftojnë korrupsionin është shumë i mangët edhe pse në raportin e Progresit ceket që ka një lloj përmirësimi të bashkëpunimit në mes prokurorisë, gjyqësisë dhe policisë, transmeton arbresh.info.

Ndërkohë, përfaqësuesi për zgjedhjet dhe reformat, Albert Krasniqi bëri thirrje që deputetët të jenë sa më aktiv në mbikëqyrjen e qeverisë.

“Ne bëjmë thirrje që trupat e Kuvendit dhe deputetët të jenë më aktiv  në mbikëqyrjen e qeverisë qoftë  në zbatimin e buxhetit  të shtetit, qoftë në instalimin e administratës publike të pa politizuar  dhe në bazë  të meritave që potencohet edhe në Raportin e Progresit”, tha Krasniqi.

Krasniqi njëkohësisht inkurajoi komisionin qendror të zgjedhjeve që të vazhdoj me praktika të lira të organizimit të zgjedhjeve edhe në komuna të tjera jo vetëm atë të Graqanicës./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale