Presidenti i zgjedhur Joe Biden i shtoi stafit të ndihmësve kryesorë katër ish-zyrtarë të administratës Obama-Biden, ndërsa vazhdon punën për formimin e ekipit të tij të Shtëpisë së Bardhë.
Cathy Russell, ish-shefe e stafit të zonjës Jill Biden gjatë administratës Obama, do të shërbejë si drejtore e Zyrës së Personelit Presidencial në Shtëpinë e Bardhë, që merret me vlerësimin e aplikantëve për role të ndryshme brenda administratës. Louisa Terrell, ish-këshilltare legjislative e presidentit në administratën Obama dhe ish-zëvendës shefe e stafit të zotit Biden në Senat, do të jetë drejtore e Zyrës së Çështjeve Legjislative të Shtëpisë së Bardhë. Ajo është tashmë pjesë e ekipit të tranzicionit dhe merret me marrëdhëniet me Kongresin.
Carlos Elizondo, ish-sekretar i çështjeve sociale për zonjën Jill Biden gjatë administratës Obama, do të jetë në të njëjtin rol, sekretar social për zonjën e parë. Ndërsa Mala Adaga do të shërbejë si drejtoreshë e politikave për zonjën Biden. Zonja Adaga më parë ka punuar si drejtore për arsimin e lartë dhe familjet e ushtarakëve në Fondacionin Biden, prandaj roli i saj i ri është një tregues për fushat ku mund ta përqendrojë aktivitetin e saj zonja Biden.
Njoftimet vijnë vetëm disa ditë pasi Presidenti i zgjedhur Biden bëri të ditur emrat e atyre që do të jenë këshilltarët e tij më të ngushtë në stafin e lartë të Shtëpisë së Bardhë. Mes tyre janë Jen O’Malley Dillon, që do të shërbejë si zëvendës shefe e stafit dhe kongresmeni Cedric Richmond si drejtor i Zyrës së Angazhimit Publik në Shtëpinë e Bardhë. Në fund të javës së kaluar, zoti Biden njoftoi se ndihmësi i tij i vjetër Ron Klain do të jetë shefi i tij i stafit.
Megjithëse këto njoftime krijojnë një ide për ekipin e Shtëpisë së Bardhë që zoti Biden po fillon të ndërtojë, ai ende nuk ka caktuar dikë në rolin e koordinatorit për COVID-in, as individët në rolet kryesore të komunikimit me publikun. Ekipit të tij do t’i duhet të bëjë mijëra emërime të tjera në stafin e administratës së ardhshme që do të nisë punën në janar. Aktualisht, ekipi është duke shqyrtuar aplikimet dhe po lidhet me kandidatët e mundshëm për rolet kryesore.
Zoti Biden ka dhënë shenja se planifikon të bëjë disa nga emërimet për kabinetin e ri rreth Ditës së Falënderimeve dhe tha të enjten se tashmë ka marrë vendim se cili do të jetë Sekretari i tij i Thesarit./voa
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...