Vuçiq: Mund të ketë shtyrje të takimit në ShBA ndërmjet Kosovës e Serbisë

13:04 | 21 Gusht 2020
M. A.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ende nuk ka diçka zyrtare por është një iniciativë që takimi i 2 shtatorit në Uashington ndërmjet Kosovës e Serbisë, të shtyhet për dy ose tre ditë.

“Pres të shoh se për çka bëhet fjalë dhe ju informoj”, ka thënë ai sot para medieve në Serbi.

“Ekziston një iniciativë për lëvizjen e datës. Unë do të jap një përgjigje. Nuk mendoj se kjo do të jetë e lehtë. A ndiej personalisht një barrë të madhe? – Po, por ajo që mund të garantoj është se unë do të luftoj për interesin e Serbisë, dhe ajo që disa ëndërrojnë, pavarësinë, nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve në Batajnicë, ku mori pjesë në një ushtrim të njësive të Forcave Ajrore të Ushtrisë Serbe.

Të mërkurën, më 2 shtator është paraparë të mbahet takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Washington.

Po raportohet se ky takim nuk mund të mbahet, por që nuk është e vërtete.

Burime të Arbresh.info, bëjnë me dije se takimi i paraparë do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë, dhe se janë bërë të gjitha përgatitjet për takimin në shtëpinë më të madhe në botë, veç se mund të jetë një ditë para ose mbas.

“Takimi mund të mbahet një ditë para ose mbas që i bi ose me 1 shtator ose me 3 shtator, por do të mbahet. Shtyrja e takimit po bëhet për shkak të agjendës së Richard Grenell, emisari i presidentit amerikan, Donald Trump”, ka thënë ky burim.

Shpërndaje në rrjete sociale