Shtyhet mbledhja e komisionit për shqyrtimin e projektligjit mbrojtjen e vlerave të UÇK-së

14:02 | 22 Korrik 2020
Arbresh Info

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, së shpejti mund ta kenë para vetes për shqyrtim dhe votim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Qeveria e Kosovës, më 14 korrik kishte mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës, raporton arbresh.info.

Ndërsa Kryesia e Kuvendit, ka proceduar me këtë projektligj i është dërguar Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion.

Për të diskutuar në lidhje me këtë projektligj, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion, gjatë ditës së sotme organizoi një mbledhje në të cilën nuk morrën pjesë përfaqësues të partive të ndryshme, gjë që bëri që mbledhja të shtyhet për në orën 17 dhe të mbahet online.

Kryetarja, Valentina Rexhepi ka thënë se mbledhja do të mbahet online në orën 17.00

“Për shkak të mungesës së disa anëtarëve të komisionit, jemi të detyruar ta shtyjmë mbajtjen e mbledhjes në ora 17.00 e cila do të mbahet online”, u shpreh ajo.

Ndryshe, Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës./arbresh.info/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale