Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, pas kërkesës së këtij të fundit për interpelancë në Kuvend lidhur me prishjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi.
Duke akuzuar kreun e PBDNj-së se e ka përdorur përherë fenë për përfitime politike, drejtuesi i qeverisë mbrojti prishjen e kishës nga bashkia e Dhërmiut në fund të gushtit.
“Jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë. Ajo ngrehinë as nga studiuesit nuk dihet nëse ka qenë e urdhëruar nga autoriteti kishtar. Inspektoriati Ndërtimor nuk ka shembur një kishë, por në fakt një ngrehinë të rëndomtë pa leje, një lloj garazhi apo stalle, ndërtuar jo nga Kisha, por nga brutaliteti i viteve ’90”, u shpreh Rama.
“Prishja e objektit në fjalë ishte thjesht kryerje e detyrës nga bashkia e Himarës, në vazhdë të rilindjes së pasurive të zonës – vijoi Edi Rama -. Kjo bashki ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara dhe të kërkuara nga ligji për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ligji thotë se në zonat me interes të veçantë arkeologjik dhe historik është e ndaluar të ndërtohet”.
Rama siguroi se megjithëse në atë zonë ndodhen 38 kisha të vjetra e të reja, do të mbështesë ndërtimin e të tjerave nëse ka nevojë bashkësia, gjithnjë në marrëveshje me autoritetin kishtar ortodoks. “Duhet të kemi më shumë respekt për objektet e kultit, e në këtë rast për rrënojat e kishës së vërtetë të Shën Thanasit, e cila u shpall monument kulture në vitin 1967 e që dy vite më pas u hoq nga kjo listë. Në këndvështrimin tim, prishja e asaj ngrehine tërësisht të papranueshme është një punë fort fisnike që unë do të kisha dashur nga ju ta përshëndesnit. Një punë që ngre lart vlerat e fesë dhe historisë, vlerat e asaj toke”, theksoi kreu i Ekzekutivit./Shekulli/
KEK: Njësia B1 rikthehet në operim, prodhimi i energjisë në ...
Alban Zogaj: LDK nuk është parti e rrjeteve sociale
Sorensen takoi komandantin e KFOR-it, flasin për bashkëpuni...
Ilir Ferati reagon për situatën në parti: LDK është më e mad...
Komuna e Suharekës hap afatin për aplikim për vlerësimin e d...
Orientimi antiperëndimor i Serbisë