Shtetet e Bashkuara sulmuan pozicionet e militantëve në Irak dhe Siri, të cilët janë fajësuar për vrasjen e një kontraktuesi amerikan, tha të dielën një zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Forcat amerikane kryen “sulme precize mbrojtëse” ndaj pesë zonave të kontrolluara nga Kataeb Hezbollah, ose Brigadat e Hezbollahut, një grup militant irakian i mbështetur nga Irani, tha zëdhënësi Jonathan Hoffman përmes një deklarate.
Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar grupin militant për një sulm me raketa të premten, në të cilin u vra një kontraktues i Departamentit amerikan të Mbrojtjes në një kompleks ushtarak afër Kirkukut, në Irakun verior.
Zyrtarët thanë se sulmuesit hodhën 30 raketa gjatë sulmit të së premtes.
Departamenti i Mbrojtjes nuk dha hollësi të tjera lidhur me sulmin . Në deklaratë thuhet vetëm se Shtetet e Bashkuara goditën tre nga zonat e milicisë në Irak dhe dy në Siri, përfshirë depo armësh dhe bazat e komandës dhe kontrollit të milicisë.
Zoti Hoffman tha se sulmet amerikane do të dobësojnë aftësinë e grupit për të kryer sulme të ardhshme ndaj amerikanëve dhe aleatëve të tyre në qeverinë Irakiane.
Brigadat e Hezbollahut të Irakut, një forcë e veçantë nga grupi libanez Hezbollah, veprojnë nën ombrellën e milicive të njohura kolektivisht si Forcat Popullore të Mobilizimit. Shumë prej tyre mbështeten nga Irani.
Një anëtar i lartë i Forcave Popullore të Mobilizimit, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se të paktën 12 luftëtarë të grupit Brigadat e Hezbollahut u vranë si pasojë e sulmeve amerikane përgjatë kufirit të Irakut me Sirinë. Deklaratat e tij nuk janë konfirmuar ende nga burime të pavarura./voa/
Vitia nënshkruan kontratën për vazhdimin e punimeve në Spita...
Sekuestrohen 4.2 kilogramë kanabis në Muriqan, në pranga dy ...
Përleshen kunatat në Zubin Potok
BQK shpall konkursin për “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”
Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe...
Vushtrri: Katër persona rrahin një tjetër, përdoret edhe arm...