Cisterna, që ishte emëruar Grace 1, sipas zyrtarëve iranian ka ndryshuar emrin në Adrian Darya dhe raportet se mund të largohet së shpejti nga Gjibraltari.
Ende nuk është e qartë se si autoritetet ndërkombëtare do të përgjigjen ndaj një urdhri të lëshuar nga SHBA-ja për sekuestrimin e anijes, që sipas Uashingtonit ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.
Cisterna Grace 1 ishte ndaluar nga Marina Mbretërore britanike më 4 korrik. Raportohej se kjo cisternë barte 2 milionë fuçi me naftë iraniane dhe besohej se nafta e kishte destinacion Sirinë – gjë që përbën shkelje të sanksioneve të BE-së.
Pas pesë javësh, Gjibraltari më 15 gusht hoqi ndalesën ndaj Grace 1, por Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi një urdhër për sekuestrim, pasi tha se cisterna ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, që nga Uashingtoni konsiderohet organizatë terroriste.
Një përfaqësues i agjentit të anijes Grace 1, tha më 17 gusht se ekuipazhi i ri i anijes, i përbërë nga shtetas ukrainas dhe indian, do të marrin komandën e cisternës nga porti në Gjibraltar dhe anija do të jetë e gatshme të largohet nga territori britanik “për 24 deri në 48 orë”, duke mos treguar se cili do të jetë destinacioni i radhës i cisternës.
