Supermasa për 8 tetorin të padëgjuara dhe të pa aplikuara më parë. Burime konfidenciale zyrtare nga Policia e Shtetit konfirmojnë për “Panorama Sport” se mesditën e 8 tetorit deri në mesnatën pas ndeshjes Shqipëri-Serbi, në aksin Tiranë- Elbasan dhe anasjelltas do të ketë hyrje të kontrolluar të tifozëve.
Çka do të thotë, tuneli i Kërrabës, por edhe rruga e vjetër që lidhte këto dy qytete, do të jenë me lëvizje të kontrolluara. Bëhet fjalë për delegacionet e të dyja skuadrave, si edhe forcat policore që do të jenë të angazhuara për këtë ndeshje, si dhe sportdashësit që do të jenë të pajisur me biletë.
Ndërkohë, mësohet se qarkullimi drejt Elbasanit do të bëhet nga Durrësi dhe gjatë 24 orëve të fundit përpara sfidës do të ketë një kontroll të imtësishëm të automjeteve që do të shkojnë në Elbasan.
Për të gjitha akset që të çojnë në Elbasan do të jenë nën një monitorim të rreptë, duke e konsideruar këtë qytet gjatë 24 orëve si një zonë të veçantë dhe me siguri maksimale.
Policia e Shtetit nuk ka dalë ende në një njoftim zyrtar për këto masa, por sipas burimeve të gazetës pritet të bëhen shumë shpejt të ditura për të gjithë opinionin.
Mbledhja – Për më shumë se dy orë në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, strukturat e Policisë së Shtetit janë mbledhur për të diskutuar për koordinimin e punës në ndeshjen Shqipëri-Serbi. Prezentë kanë qenë zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato dhe drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka.
Ky i fundit në një prononcim për mediat zbardhi numrin e forcave policore për këtë ndeshje, si edhe konfirmoi se në ballkonet e pallateve nuk do të ketë policë.
“Do të jenë pak a shumë aq sa edhe në ndeshjen me Portugalinë, me plus-minuset, afërsisht 1500 forca, por për shkak të asaj që ndodhi në Serbi sensibiliteti është më i madh dhe banorët duhet të zbatojnë porositë që u kemi dhënë. Nëpër ballkone nuk do të ketë policë, por aty duhet të jenë vetëm banorët që kanë shtëpitë dhe asnjë person tjetër. Për këtë duhet të na mirëkuptojnë dhe të zbatojnë porositë e dhëna nga Policia e Shtetit. Ata janë të lirë ta shohin ndeshjen në ballkonet e tyre, por u është bërë e qartë për detyrimet që kanë. Për sa u përket informacioneve të ndonjë incidenti të mundshëm nuk kemi deri tani, por të gjitha strukturat e shtetit janë në terren dhe po merren duke bashkëpunuar edhe me SHISH-in”, u shpreh Loka për sa u përket masave të kësaj ndeshjeje.
Në lidhje me Ismail Morinën, që nuk do të lejohet të hyjë në stadium, ai u shpreh shkurtimisht: “Në stadium do të hyjnë të gjithë ata që kanë prerë një biletë dhe askush tjetër”, përfundoi Gjovalin Loka. /Zëri/
KFOR rikonfirmon angazhimin për siguri në Kosovë në takimin ...
Aksident në Maliq, shoferi humb kontrollin dhe del nga rruga...
Arteta nuk e ka të sigurt rinovimin e kontratës te Arsenali
Operacion i madh policor në Itali, kapen 1.4 ton drogë – afr...
Policia në Ferizaj ndëshkon dy kamionë me targa të huaja për...
Motra e Afrim Zhitisë në mbështetje të Albin Kurtit