Tahiri kritikon policët, s’do gjoba pa radarë

17:12 | 2 Tetor 2015
Gita

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri ka kritikuar sot punonjësit e policisë rrugore të cilët kanë vendosur gjoba pa kriter për raste të shpejtësisë së automjeteve. Duke marrë shkas nga disa denoncime që kanë bërë qytetarët se u janë vënë gjoba pa të drejtë duke e matur shpejtësinë me sy të lirë dhe jo me mjete teknologjike,ministri iu ka bërë apel të gjithë punonjësve të policisë, sidomos atyre të rinj që t’u shërbejnë qytetarëve pa korrupsion.

Këtë deklaratë ai e bëri sot gjatë ceremonisë së diplomimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, ku tha se duhet të luftojmë arbitraritetin në polici dhe të mos vihen gjoba pa mjete teknologjike, transmeton kp.

“Me plot të drejtë janë ngritur vërejtje dhe kritika sesi mund të masë punonjësi i policisë shpejtësinë me sy dhe mbi këtë bazë të vendosi gjobë. Është betejë dhe test i përditshëm i juaji me veten, më së pari, për të besuar në misionin tuaj të përditshëm për t’i shërbyer qytetarëve pa korrupsion, për t’i shërbyer qytetarëve duke diktuar barazinë para ligjit dhe pa selektivitetit”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri dhe drejtori i Policisë nuk kanë preferuar të flasin për ngjarjen e mbrëmshme që tronditi Tiranën, ku nga një atentat me kallashnikov mbetën të vdekur dy të rinj dhe u plagosën dy të tjerë. Megjithatë Policia po vijon hetimet dhe kërkimet për kapjen e autorit, dhe për këtë ka vënë në dispozicion të informatorëve 10 mijë euro

Shpërndaje në rrjete sociale