​Agani kërkon nga komunat të zbatojnë Ligjin për Ndërtesat e Banimit në Bashkëpronësi

23:10 | 30 Shtator 2015
M. A.

Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka ftuar komunat e Kosovës që të bashkëpunojnë për zbatimin e Ligjit për Ndërtesat e Banimit në Bashkëpronësi, në funksion të ngritjes së cilësisë së banimit në bashkëpronësi dhe mundësisë së hapjes së vendeve të reja të punës për qytetarët.

Kreu i MMPH-së ka marrë pjesë në punëtorinë me temën “Administrimi i Ndërtesave në Bashkëpronësi”, që kishte për qëllim promovimin e administrimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesave të banimit në bashkëpronësi, duke u bazuar në këtë ligj.

Në ekspozenë e tij, ministri Agani tha se synohet që fushën e banimit në bashkëpronësi të fillojmë ta trajtojmë në mënyrë institucionale.

“Banimi, si shfrytëzuesi më i madh i hapësirës, është funksion bazë i vendbanimeve që ndikon në rrjedhën e zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë, dhe njëherit është komponent i rëndësishëm zhvillimit ekonomiko-social, gjegjësisht të standardit jetësor të qytetarëve në përgjithësi. Banimi dhe Politikat e Banimit janë ndër problemet esenciale për zhvillimin social, ekonomik dhe politik të vendit, andaj Ministria në politikat e banimit përmes Kornizës ligjore ka krijuar mekanizma të cilët do të ofrojnë zgjidhjen e kushteve adekuate dhe ngritjen e cilësisë së banimit për të gjithë qytetarët”, tha ai.

“Në periudhën e mëhershme zhvillimi, ndërtimi, financimi, pronësia, dhe shfrytëzimi i objekteve banesore, gjegjësisht i fondit banesor, kanë qenë kontribut i përbashkët i ndërmarrjeve shoqërore dhe të të punësuarve në këto ndërmarrje. Pronarë të objekteve të banimit, gjegjësisht të banesave, kanë qenë vetë ndërmarrjet apo institucionet tjera shoqërore -shtetërore. Menaxhimi i mirëmbajtjes së këtij fondi banesor në Kosovë, ka qenë i organizuar, udhëhequr dhe menaxhuar nga ish-Ndërmarrjet Publike Banesore”.

Kurse, me themelimin e Ligjit për Ndërtesat në Bashkëpronësi i miratuar në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka pasur për qëllim rregullimin e të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive të banorëve të ndërtesës në lidhje me administrimin dhe mirëmbajtjen e pjesëve, hapësirave d he pajisjeve të përbashkëta të ndërtesës në bashkëpronësi.

“Ligji, përveç që zbatohet për të gjitha ndërtesat për banim që kanë njësi afariste dhe që janë në pronësi të më shumë së një pronari, zbatohet edhe për komplekse të njësive individuale të banimit dhe afariste të cilat kanë në pronësi të përbashkët një territor, në funksion dhe në përdorim, ekskluzivisht, të pronarëve të njësive”, theksoi Agani.

Ai saktësoi se me Ligjin në fjalë janë përcaktuar përgjegjësitë e Komunës ndaj administrimit dhe mirëmbajtjes së ndërtesave në bashkëpronësi me dhënien e një roli më aktiv komunave, me ç’rast lehtësohet zbatimi, ngaqë komunat do të iniciojnë krijimin e bashkësive të pronarëve dhe gjithashtu është përcaktuar mekanizmi për monitorimin e zbatimit të ligjit nëpërmjet mbikëqyrjes administrative dhe inspektuese.

Procesi për administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave në bashkëp ronësi është si vijon:

• Themelimi i bashkësive të pronarëve,

• Certifikimi e Administratorëve,

• Autorizimi i institucioneve nga MMPH, për zhvillimin e programit për trajnim të administratorëve,

• Regjistrimi i shoqatave të bashkëpronësisë në kadastër,

• Stimulimi i kompanive ndërtimore dhe organizatave joqeveritare për ketë veprimtari

Ministri i Mjedisit inkurajoi komunat e Kosovës për bashkëpunim për zbatimin e këtij ligji, në funksion të ngritjes së cilësisë së banimit në bashkëpronësi dhe mundësisë së hapjes së vendeve të reja të punës për qytetarët tanë.

Shpërndaje në rrjete sociale