Kosova paralajmëron tabela “Prova” për veturat e Serbisë

18:36 | 30 Shtator 2015
M. A.

Vizita e delegacionit të Kosovës në Bruksel më 28 dhe 29 shator për bisedimet e radhës me Serbinë, nuk ka qenë një paradë buzëqeshjesh.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofti se një nga temat e diskutuara ishte ajo e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, ku theksi u vu mbi zbatimi e reciprocitetit në çështjen e tabelave të regjistrimit të automjeteve.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës njoftoi Bashkimin Evropian se ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën që sigurohet nga Marrëveshja e lëvizjes së lirë për të zbatuar reciprocitetin e plotë dhe ky reciprocitet përfshin çështjen e tabelave ‘prova’ ku delegacioni bëri me dije që në qoftë se Serbia nuk i heq tabelat ‘prova’ për automjetet e Kosovës me tabelat ‘RKS’ atëherë Kosova do aplikojë masa reciprociteti duke aplikuar tabela ‘’prova’’ për automjetet e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Por paralajmërimet e delegacionit kosovar, udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, nuk mbarojnë këtu.

Gjithmonë sipas Zyrës së Kryeministrit, delegacioni i Kosovës njoftoi se do të aplikojë edhe masa tjera siç janë pagesat administrative për këto tabela si dhe dokumentin hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë.

“Delegacioni potencoi se Kosova nuk ka aplikuar këto masa duke pasur prirje që të realizojë një lëvizje vërtet të lirë sipas standardeve evropiane, mirëpo, meqenëse Serbia me masat e saja ka vështirësuar dhe frustruar procesin e lëvizjes së lirë, atëherë Kosovës nuk i mbetet zgjidhje tjetër pos që të zbatojë reciprocitetin”, thuhet në komunikatë.

Ndërmjetësi i BE-së Alexis Hupin propozoi që kjo temë të diskutohet edhe në takimin e radhës në përpjekje që të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje që është në interes të qytetarëve dhe që nënkupton përmirësim të lëvizjes së lirë e jo pengesa.

Por pala e Kosovës raportohet se ishte e vendosur dhe këmbënguli që çfarëdo zgjidhje duhet të bëhet me reciprocitet.

Nga ana tjetër, për çështjen e njohjes reciproke të diplomave mes dy shteteve dje është arritur marrëveshja për implementim.

Ndërsa çështje të tjera paraqiten problematike. Sa i takon marrëveshjes për kadastër, të dyja vendet kanë lëvizur ngadalë.

Në takimet në Bruksel u diskutua për vonesat në zbatimin e kësaj marrëveshjeje nga ana e Kosovës, e cila ka prolonguar miratimin e projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Probleme janë vërejtur edhe në procesin e skanimit të dokumentacionit kadastral nga ana e Serbisë, proces ky që është zhvilluar me ritëm të ngadaltë.

Pala kosovare u ankua edhe për mospranimin e Zyrtarit Ndërlidhës të Republikës së Kosovës nga nivele ministrore në Serbi, ku u theksua se Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë në Kosovë vetëm se ka zhvilluar disa takime me disa ministra të qeverisë së Kosovës.

Si rrjedhojë e kësaj, u arrit dakordimi që Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Kosovës të pritet zyrtarisht gjatë muajit tetor nga ministri i Arsimit të Serbisë, Serxhan Verbiq, ku mes tjerash do të bisedohet edhe për çështjen e librave që Qeveria e Kosovës po i dhuron për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Në muajt në vijim u njoftua se do të intensifikohen angazhimet që Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ta presë zyrtarisht në takim zyrtarin ndërlidhës të Serbisë në Kosovë, dhe Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq ta presë zyrtarin ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Serbi

Shpërndaje në rrjete sociale